Shtrenjtohen perimet, qytetarët ankohen për çmime të larta|Video
Valjete Shala/RTK
Sivjet janë shtrenjtuar dukshëm perimet. Qytetarët ankohen se çmimet janë më të larta në krahasim me vitin e kaluar. Kultivuesit e perimeve e pranojnë ngritjen e çmimeve, por këtë e arsyetojnë me vështirësitë që kanë hasur sivjet me reshjet dhe dëmet që kanë pësuar nga to.
Me uljen e temperaturave dhe ardhjes së vjeshtës, tregjet në Kosovë mbushen me kërkesa për speca, domate, karota e produkte të tjera për përgatitjen e turshive. Por, qytetarët ankohen se këtë vit çmimet janë të larta dhe të papërballueshme.
“Shtrenjtë, shumë shtrenjtë janë se me çmime të vjetshmit shumë shtrenjtë, por duhet me i marr”, tha një qytetar.
Qytetari tjetër thekson se pensioni është 182 euro, kurse çmimet janë katastrofë.
Se çmimet e perimeve janë më të larta këtë vit e konfirmojnë edhe tregtarët. Çmimet e larta, kultivuesit e perimeve i arsyetojnë me vështirësitë që kanë hasur në kultivimin e tyre.
"Sivjet me të thanë të drejtën vështirësia u kanë shumë e madhe se ka pas reshje pandërprerë bash në kohën kur është dashtë me bë ndërrimin e tyre. Na e kanë shty pak, po edhe pasi që i kemi ndrru ka pas reshje vazhdimisht, i kanë dëmtuar shumë", tha për RTK, Hysen Ibrahimi, kultivues.
Çmimet e perimeve për kilogram duket se nuk dallojnë shumë nga tregtarët dhe kultivuesit këtë vit.
Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vërehet se çmimet e perimeve janë më të larta këtë vit në krahasim me vitin e kaluar.
Një kilogram domate në gusht të vitit të kaluar kushtonte 80 cent, kurse këtë vit është rritur në 1 euro e 1 cent. Ndërsa një kilogram speca të padjegëst vitin e kaluar kushton 1 euro e 13 cent, kurse këtë vit është 1, 57 cent.























