Kaçanik: Marrëveshje bashkëfinancimi për renovimin e objektit të HANDIKOS
BKT
Kosovë

Kaçanik: Marrëveshje bashkëfinancimi për renovimin e objektit të HANDIKOS

F.S / RTKlive

Është nënshkruar një marrëveshje bashkëfinancimi që synon të përmirësojë dhe rikthejë në përdorim objektin e HANDIKOS në komunën e Kaçanikut.

Përmes një njoftimi për media nga kjo komune, thuhet se vënkryetari i Komunës, Sabedin Vishi, me këtë rast tha se organizata bamirëse LDS Charities do të financojë me 30 mijë euro këtë projekt të rëndësishëm për personat me nevoja të veçanta, ndërsa Komuna do të investojë rreth 27 mijë euro.

“Marrëveshja u nënshkrua gjatë një ceremonie zyrtare dje, ku ishin të pranishëm përfaqësues të Komunës dhe të organizatës HANDIKOS, ku nënshkrimi u bë në prezencën e drejtoreshës së HANDIKOS Kaçanik, Elmihane Malsiu, e cila shprehu gëzimin e saj për hapat konkrete drejt përmirësimit të kushteve për personat me nevoja të veçanta”, thuhet në njoftim.

Ky investim, vazhdon njoftimi,  do të krijojë kushte më të mira dhe më të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara në komunën e Kaçanikut.

“Rikonstruktimi dhe renovimi i objektit të HANDIKOS do të sjellë ndryshime pozitive në jetën e këtij komuniteti dhe do të mundësojë ofrimin e shërbimeve më të mira dhe të përshtatshme për personat me nevoja të veçanta dhe është një shembull konkret i bashkëpunimit të qeverisë lokale me Organizatat e Shoqërisë Civile dhe donatorët ndërkombëtarë për të arritur qëllimet e përbashkëta për mirëqenien e komunitetit”, përfundon njoftimi.


MË SHUME NGA Kosovë