Bëhemi bashkë për një Kosovë të pastër|Video
V.Th. RTKlive
Sot shënohet dita botërore e pastrimit. E për një Kosovë të pastër do të mbahen disa aktivitete të cilat do të zhvillohen paralelisht në vende të ndryshme të vendit.
Për këto aktivitete ka folur në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, Besnik Shabiu nga organizata “Let’s do it-Ta pastrojmë Kosovën”.
Ai tha se aktivitete kanë filluar gjatë ditës së premte sepse mundësia e mobilizimit ka qenë më e lehte.
“Disa komuna si ajo e Dragashit, Hanit të Elezit, Prizrenit, kanë filluar aktivitetet qysh nga dita e djeshme”, tha Shabiu.
Shabiu tha tutje se dita e saktë e këtij aktiviteti është sot (16 shtatori), si dita e pastrimit të botës, e cila sipas tij përveç Kosovës realizohet në të njëjtën kohë edhe në 197 shtete në gjithë botën, e që është një mobilizim global.
“Motoja e përbashkët është “Sa më pak mbeturina”, ideja e minimizimit të përdorimit të produkteve të cilat lejnë mbetje”, tha ai.
Sipas tij qëllimi i përgjithshëm është të minimizojmë në bazë të mundësive, dhe ta ndryshojmë formatin e jetesës dhe të mundohemi që sa më pak të kemi mbeturina në mjediset ku jetojmë, të cilat po shndërrohen në një problem tejet serioz global.
Ngjarja kryesore dhe me rëndësi të veçantë do të mbahet pranë Liqenit të Badovcit, ku ekziston një nevojë urgjente për të pastruar mbeturinat e shumta në brigjet e tij.























