Numri i aksidenteve në trafikun rrugor vazhdon të jetë i lartë
BKT
Foto arkiv/ RTKlive
Kosovë

Numri i aksidenteve në trafikun rrugor vazhdon të jetë i lartë

Albana Bajrami /Radio Kosova

Në Kosovë, numri i aksidenteve në trafikun rrugor vazhdon të jetë i lartë. Sipas raportit të Policisë së Kosovës, pesë persona kanë humbur jetën të shtunën pasdite, si pasojë e aksidenteve të trafikut, ndërsa gjatë 24 orëve të fundit kanë ndodhur 62 aksidente.

Pesë persona kanë humbur jetën të shtunën pasdite, si pasojë e aksidenteve të trafikut. Policia e Kosovës ka njoftuar se dy persona kanë vdekur në Ozdrim të Pejës, pasi janë goditur nga një veturë. Dy të tjerë kanë vdekur në një vet-aksident trafiku në rrugën që lidhë fshatin Sfeçël me atë të Shajkocit në komunën e Podujevës. Ndërsa, një person tjetër ka vdekur në një aksident në rrugën Llapnasellë- Graçanicë.

Sipas raportit të policisë, në 24 orët e fundit, kanë ndodhur 62 aksidente, 3 prej të cilave kanë qenë me fatalitet, 20 me të lënduar dhe 39 me dëme materiale. Gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar edhe 1 mijë e 534 gjoba trafiku.

Të dhënat e policisë tregojnë se numri i aksidenteve në trafik ka qenë i madh edhe gjatë këtij viti.

Ndërsa, eksperti i komunikacionit, Muhamed Krasniqi, kohë më parë ka thënë për RTK-në, se shkaktarët e aksidenteve rrugore janë të shumtë, por që faktori njeri mbetet kryesori.

"Këto aksidente ndodhin për shkak të rritjes së shpejtësisë, domethënë mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës dhe mosrespektimit të shenjave të trafikut dhe prandaj vijnë këto aksidente. Por fokusi është faktori njeri", tha Muhamed Krasniqi, ekspert i komunikacionit.

Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës për periudhën janar-qershor të vitit 2023, 35 aksidente kanë përfunduar me fatalitet, 3 mijë e 782 me lëndime dhe 6 mijë e 113 me dëme materiale.


MË SHUME NGA Kosovë