Inspektorët shkojnë te çerdhja ku dyshohet se u rrah 3-vjeçari
SH.Ç/RTKlive
Inspektorët e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit kanë shkuar në çerdhën “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë, ky dyshohet se një 3-vjeçar është rrahur nga edukatoret e këtij institucioni.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila ka thënë se është e shqetësuar nga pamjet e publikuara.
“E dënoj ashpër dhunën e ushtruar ndaj një të mituri në këtë institucion parashkollor. Dhuna është e papranueshme andaj, pres që kushdo që ushtron dhunë të marrë dënimin e merituar”, ka shkruar ajo në Facebook.
Nagavci ka thënë se ajo që është më shqetësuese sipas pamjeve të publikuara, është se nuk bëhet fjalë vetëm për një person por më shumë edukatore të involvuara e që e shton dyshimin se nuk është fenomen i izoluar.
“Inspektorati i Arsimit ndodhet në këtë institucion dhe sapo të pranojmë raportin, do të ndërmarrim masa të menjëhershme. MAShTI, komunat dhe në përgjithësi si institucione kemi obligim të kujdesemi e të sigurohemi për mirëqenien e të gjithë fëmijëve”, ka theksuar ajo.























