Kurti takon studentët e Arkitekturës, fitues të garës në Kroaci
M.P. / RTKlive
Kryeministri Albin Kurti bashkë me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci mirëpritën dhe zhvilluan një bashkëbisedim me studentët e Fakultetit të Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, të cilët janë fitues në tri nga gjashtë kategoritë e garës ndërkombëtare “Inspireli EduProject Competition Croatia”.
Kjo është hera e parë që studentët nga Kosova marrin pjesë në këtë garë në mënyrë të organizuar institucionale si Universitet i Prishtinës me ftesë nga organizatorët Inspireli Awards 2023.
“Duke ua uruar fitoren studentëve të vitit të pestë të Fakultetit të Arkitekturës, të cilët janë shpallur fitues në tri nga gjithsej gjashtë kategoritë e garës ndërkombëtare të organizuar nga platforma ndërkombëtare për arkitekturë Inspireli për projektimin e resorit turistik Miris Garden, në lokacionin Stari Grad - Paklenica, që gjendet pranë qytetit të Zarës, në Kroaci, kryeministri tha se këto arritje na bëjnë krenarë të gjithë”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Studentët pjesëmarrës nga Kosova morën vendin e parë në kategorinë e projektimit të qendrës komerciale, në kategorinë e projektimit të hotelit dhe në kategorinë e projektimit të apartamenteve.
Këtë vit në garë kanë marrë pjesë studentë nga 38 vende të botës me 163 projekte. Juria vlerësuese ka gjithsej 963 anëtarë nga 126 vende të botës.
Fituesve të garave Inspirel u jepet mundësia të vizitojnë zyra/firma të njohura botërore të arkitekturës dhe dizajnit. Së fundi, një nga fituesit e kaluar të garës Inspireli është punësuar nga firma Zaha Hadid Architects në Londër, pas një vizite me ftesë të firmës. Pjesëmarrja në garë automatikisht garanton anëtarësinë e përhershme në platformë dhe nënkupton mundësinë për këshillim falas dhe rrjetëzim mes studentëve dhe universiteteve.
























