Ramadani: Opozita intensivisht e angazhuar ta sabotojë reformën e nisur
F.S / RTKlive
Kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal i Kuvendit të Kosovës, Valon Ramadani përmes një postimi në Facebook ka thënë se PDK-ja e ka gabim dhe po tenton ta manipulojë opinionin publik dhe t`i vë në lajthitje institucionet, sepse edhe Kuvendi edhe Presidenca kanë respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Zyrtarët Publikë.
“Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, faqe 118, pika XI, paragrafi a. theksohen qartë pjesët pa të cilat duhet të dekretohet ky Ligj dhe i njëjti në Gazetën Zyrtare është publikuar pa ato formulime, siç i ka kërkuar Gjykata”, ka shkruar Ramadani.
Drejtoria për Shërbime Juridike dhe Përafrim dhe Komisioni ynë, siç tha ai, i është përmbajtur pikë për pikë aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe si të tillë e ka përcjell për dekretim nga Presidentja.
“Prandaj, janë të pavërteta pretendimet e PDK-së. Partitë opozitare janë intensivisht të angazhuara për të sabotuar reformën që kemi nisur, por ata po ashtu duhet të jenë të vetëdijshëm që vullneti i popullit për ndryshim, për zotimet që ata kanë mbështetur në mënyrë plebishitare, nuk ka kush e ndalë. Sa më herët që e kuptojnë, aq më mirë”, ka përfunduar Ramadani.























