Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë qëndroi për vizitë në Tiranë
A.B/RTKlive
Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit të Republikës së Kosovës, me ftesë të kryetares së Komisionit për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Mimi Kodheli, ka realizuar një vizitë zyrtare në Tiranë.
Delegacioni i Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë, i kryesuar nga Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, kryetare e komisionit, së bashku me anëtarët Xhavit Haliti, Yllza Hoti dhe Time Kadrijaj gjatë vizitës zyrtare në Tiranë u takuan me Komisionin për Politikën e Jashtme, Komisionin për Çështjet Evropiane, deputetë-përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë në organizata ndërkombëtare si dhe me zëvendësministren e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Artemis Malo.
Pika e parë e agjendës ishte takimi me komisionin homolog, atë për Politikën e Jashtme. Gjatë këtij takimi u vlerësua roli i Shqipërisë në mbështetjen e Kosovës në të gjitha etapat e shtetndërtimit të saj. Nga pala shqiptare u theksua se Kosova është prioritet i Republikës së Shqipërisë për njohje të plotë ndërkombëtare dhe për integrim në organizata ndërkombëtare. U bisedua për situatën në të cilën gjendet Kosova, si pasojë e dialogut Kosovë-Serbi dhe për mundësitë e daljes nga kjo situatë në të mirën e Kosovës.
Procesi i Berlinit është kthyer në qendër të vëmendjes së vendeve të Ballkanit perëndimor dhe BE-së dhe gjatë takimit të komisioneve u konfirmua se ky është i vetmi proces që i ofron vendet e BP drejtë integrimit në BE.
Palët u dakorduan që të ngritet niveli i bashkëpunimit në mes të komisioneve, u propozua nënshkrimi i një marrëveshjeje bashkëpunimi në mes komisioneve për konkretizimin e aktiviteteve të përbashkëta.
Gjatë takimit me Komisionin për Çështjet Evropiane u tha se procesi i liberalizimit i vizave i ka humbur Kosovës shumë kohë dhe mund, por se tashmë ky proces është i përfunduar dhe se është caktuar data kur qytetarët e Kosovës mund të lëvizin pa viza në Bashkimin Evropian.
Pala shqiptare theksoi se në çdo takim ndërkombëtar, çështje parësore që diskutohet është çështja e Kosovës. U theksua se Shqipëria dhe Kosova nuk duhet të presin projekte për të bashkëpunuar, por bashkëpunimi në mes të dy vendeve duhet të jetë i domosdoshëm, i përditshëm dhe se bashkëpunim është e vetmja rrugë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës ishte gjithashtu çështje diskutimi. U potencua se në këtë proces nevojitet lobim i fortë, sidomos me vendet hezituese brenda KE-së, që të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Në takimin me delegacionet e përhershme të Kuvendit të Shqipërisë në organizata ndërkombëtare parlamentare, u tha se agjenda e Republikës së Shqipërisë në Asamblejnë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) është përshpejtimi i anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës. U nda mendimi i përbashkët se delegacioni i Shqipërisë edhe i Kosovës në këtë organizatë vepron si një delegacion i vetëm, përderisa u theksua nevoja për lobim tek vendet mike të Kosovës të cilat e përkrahin anëtarësimin e Kosovës në KE. Krijimi i një strategjie të përbashkët veprimi është vlerësua si e domosdoshme për avancimin e mëtejmë në këtë proces, u tha në takim.
Edhe pse Republika e Kosovës nuk është pjesë e Asamblesë Parlamentare OSBE PA, u theksua nevoja që Kosova të mos le asnjë vend bosh dhe të marr pjesë në çdo iniciative ndërkombëtare. Kosova është përpjekur disa herë që të jetë pjesë e kësaj organizate edhe në cilësinë e mysafirit, por asnjëherë nuk ka pas rast që të ftohet në ndonjërin nga forumet e kësaj organizate.
Lidhur me Komitetin Parlamentar për Stabilizim Asociim (KPSA) delegacioni shqiptar njoftoi se i përcjellin negociatat që Republika e Kosovës ka me Komisionin Evropian dhe se janë në dispozicionin e Kosovës për çfarëdo asistence që Kosova ka nevojë lidhur me këtë proces.
Gjatë takimit në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, zëvendësministrja Artemis Malo pasi i uroi mirëseardhje delegacionit të Kuvendit të Kosovës, e njoftoi atë se mbulon dikasterin e diasporës brenda ministrisë dhe se Kosova në këtë drejtim ka bërë hapa të suksesshëm në integrimin e diasporës brenda jetës politikë në Kosovë, sidomos me Ligjin e ri për Zgjedhje, ku tashmë diaspora mund të votoj në ambasada dhe konsullata.
Ndër të tjera ajo njoftoi se bashkëpunimi në mes të ambasadave të Shqipërisë dhe Kosovës është i mirë. Sipas zëvendësministres Malo prioriteti strategjik i Shqipërisë është të arrihet njohja e Kosovës nga secili shtet dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare.
Nga delegacioni i Kosovës u bë e ditur se dy vendet mund të rrisin bashkëpunimin në fushën e diasporës dhe se në këtë drejtim mund të shkëmbehet përvojat. U kërkua nga Republika e Shqipërisë të shfrytëzojë rastin me kryesimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të lobojë tek shtetet skeptike në mënyrë që gjërat të lëvizin në favorin e Kosovës. Theks të veçantë u kërkua t’i kushtohet pesë vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur ende Republikën e Kosovës.























