Maloku takon përfaqësuesit e Këshillit të Lartë të Prokurorisë Shqiptare
F.S / RTKlive
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jetish Maloku, ka pritur në takim kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë së Shqipërisë (KLPSH), Alfred Balla, me të cilin ka diskutuar rreth përvojave dhe praktikave të mira si dhe hulumtimin e formave të bashkëpunimit bilateral, në mënyrë që të avancohen proceset e punës në të dyja vendet.
Në një njoftim për media nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, thuhet se Maloku informoi kryetarin Basha për proceset e funksionimit kushtetues e ligjor, duke theksuar përkushtimin e KPK-së dhe mekanizmave të saj për bashkëpunim të mëtejshëm.
“Në kuadër të bashkëbisedimit të sotëm, përfaqësuesit e Këshillit të Lartë të Prokurorisë së Shqipërisë janë interesuar veçanërisht për metodologjinë e punës lidhur me procedurat dhe procesin e performancës, vlerësimit dhe disiplinimit të prokurorëve të shtetit në Republikën e Kosovës, me ç’rast zëvendëskryesuesi i KPK-së, kryetari i Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve dhe ai i Komisionit për Akte Normative, i kanë njoftuar ata lidhur me aspektet e avancimit të bërë dhe mbështetjes së ofruar nga ana e partnerëve ndërkombëtarë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, në njoftim thuhet, se është diskutuar edhe për sistemet e integruara të të dhënave që gjenerohen në mënyrë digjitale dhe është potencuar nevoja e intensifikimit të bashkëpunimit, qoftë edhe me anë të realizmit të takimeve të përbashkëta të këshillave përkatës, delegimit dhe caktimit të anëtarëve dhe përfaqësuesve nga të këshillat e të dyja shteteve për të bashkëpunuar për çështjet me interes të veçantë.























