Në Prishtinë përurohet selia qendrore e AKPPP-së
BKT
Kosovë

Në Prishtinë përurohet selia qendrore e AKPPP-së

M.Sh/RTKlive

Të enjten në Prishtinë është përuruar selia e Asociacionit Kombëtar të Pronarëve të Pyjeve Private të Kosovës (AKPPP). Në ceremoninë e përurimit morën pjesë anëtarë të AKPPP-së, partnerë dhe donatorë të këtij asociacioni.

Kryetari i AKPPP-së, Bashkim Gashi tha me këtë rast se, tash e tutje pronarët e pyjeve private të Kosovës do ta kenë një adresë qendrore prej ku do ta kenë më të lehtë kontaktin me partnerë dhe ekspertë kombëtarë dhe të huaj, për gjetjen e mundësive më të mira të ruajtjes dhe të shfrytëzimit të resurseve pyjore të Kosovës.

Deri më tani Asociacioni Kombëtar i Pronarëve të Pyjeve Private të Kosovës aktivitetin e vet qendror e ka zhvilluar në kuadër të organizatës holandeze me mision në Kosovë “Connecting Natural Values & People” (Lidhim Vlerat e Natyrës me Njerëzit) - CNVP.

Xhevat Lushi, drejtor i degës së CNVP-së për Kosovë, në këtë ceremoni tha se, CNVP-ja edhe në të ardhmen do të vazhdojë të jetë partnere dhe mbështetëse në projektet e AKPPP-së.

Në këtë ceremoni kanë folur edhe përfaqësuesit e Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA), përfaqësuesit e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, përfaqësuesit e organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO) etj.

Ndryshe, sipas Inventarit Kombëtar të Kosovës i vitit 2012, rezulton se 180 800 hektarë pyje, që përbëjnë përafërsisht 38 për qind të sipërfaqes tokësore të Kosovës, janë në pronësi private. Po ashtu, sipas disa gjetjeve hulumtuese në terren të kryera nga organizata CNVP këto prona pyjore, me një menaxhim të kujdesshëm, kanë potencial që të realizojnë prodhim e furnizimin shumë më të madh me material drusor, për t’ia rritur vlerat e tokës, të ardhurat familjare dhe punësimin në zonat rurale të Kosovës.


MË SHUME NGA Kosovë