Kurti: Radoiçiqi, krimineli me rol udhëheqës në sulmet terroriste
A.B/RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se zëvendëspresidenti i partisë së serbëve të Kosovës që kontrollohet nga Serbia, Milan Radoiçiq, është një kriminel i sanksionuar nga ShBA dhe Britania e Madhe e që luajti një rol udhëheqës në sulmet terroriste të kësaj jave.
“Shumica e grupeve minoritare në Kosovë kanë shumë parti politike. Por Beogradi lejon që grupi më i madh i serbëve në Kosovë, të kenë vetëm një të cilin e kontrollon”, ka shkruar ai në platformën ‘X’.
Sipas Kurtit, shqetësimet për të drejtat e serbëve në Kosovë nuk janë të bazuara nëse ata injorojnë të drejtën për pluralitet politik dhe nevojën për përfaqësim të lirë nga kriminelët e sanksionuar nga perëndimi, të cilët kanë qenë të përfshirë në vrasjen e policëve dhe terrorizimin e njerëzve që duhet të përfaqësojnë.























