Nderohet heroi Bunjaku në Ambasadën e Kosovës në Zvicër
M.M./RTKlive
Në Ambasadën e Kosovës në Bern të Zvicrës, si dhe në konsulatat në Gjenevë e Cyrih u nderua heroi i Kosovës, rreshteri Afrim Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës në një sulm tinëzar nga terroristët serbë në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator, 2023.
Përmes një njoftimi Ambasada e Kosovës bën të ditur se në mjediset e saj, në Bern, si dhe në konsulatat në Gjenevë dhe Cyrih, sot u bënë homazhe dhe u ndezën qirinj në nderim të heroit Afrim Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës nga bandat terroriste serbe.
Me këtë rast, u dënuan aktet e tilla kriminale dhe terroriste të organizuara dhe të përgatitura nga Serbia me qëllim të destabilizimit të Kosovës dhe të rajonit.
“Njëherësh, bashkatdhetarët tanë i dhanë mbështetje Qeverisë dhe të gjitha organeve tjera të sigurisë për intervenimin e shpejtë dhe profesional për shpartallimin e këtij grupi të armatosur me armë ushtarake dhe të përgatitur për akte të tilla terroriste kundër Kosovës së pavarur dhe sovrane”, thuhet, mes tjerash, në njoftim.

























