Haxhiu: Janë lokalizuar mbetjet mortore të një personi
E.Hoti/ RTKlive
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se të enjten janë lokalizuar mbetje mortore të një individi në Prishtinë, që dyshohet se i takojnë kohës së luftës.
Ministrja Haxhiu ka shkruar në Facebook se mbetjet do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), ku do t’i nënshtrohen ekzaminimeve shtesë me qëllim të identifikimit.
Ajo ka theksuar se në vendin e njëjtë gjatë majit janë gjetur mbetje mortore edhe të një individi.
“Sot, ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, në bashkëpunim me KQPZH dhe Policinë, kanë lokalizuar mbetjet mortore të një individi në lagjen Matiçan në Prishtinë, të cilat dyshohet se i takojnë kohës së luftës. Mbetjet skeletore do të dërgohen në IML ku do t’i nënshtrohen ekzaminimeve shtesë me qëllim të identifikimit. Në vendin e njëjtë gjatë muajit maj në të njëjtin vend ishin gjetur mbetjet mortore edhe të një individi”, ka shkruar Haxhiu.























