Gashi: Serbia ka pajisur grupin paraushtarak me armë
BKT
Kosovë

Gashi: Serbia ka pajisur grupin paraushtarak me armë

A.B/RTKlive

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka folur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, derisa është diskutuar për situatën në veri të vendit pas agresionit serb më 24 shtator.

"Kosova është para gjithçkaje, sepse është gjithçka për ne. Me një zë; të bashkuar për Kosovën tonë, për të vërtetën e për të drejtën tonë.Kosova e tha fjalën e saj në Strasburg, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për situatën në Veri të Kosovës pas sulmit terrorist dhe nevojën për de-eskalim", tha ai.

Sipas tij në kohë errësire dhe dëshpërimi, është detyra jonë që të qëndrojmë së bashku; të përballemi me pasojat shkatërruese të sulmeve terroriste dhe të gjejmë shpresën në ndjekjen e paqes.

"Më 24 shtator, në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, në Republikën e Kosovës, është kryer një sulm terrorist, ndërsa një grup terroristësh të armatosur, të veshur me uniforma dhe maska kanë vrarë një polic dhe kanë plagosur dy të tjerë, dhe jo vetëm. Serbia, si shtet anëtar i këtij institucioni të madh, e ka përkrahur dhe e ka pajisur këtë grup paraushtarak me armë, municion dhe mjete të tjera për kryerjen e këtij akti terrorist. Serbia ende vazhdon t'i mbështesë ata, pasi të gjithë terroristët e përfshirë në këtë sulm janë të fshehur në Serbi", tha ai.

Duke shtuar se përballë një ngjarjeje kaq të rëndë, është përgjegjësia jonë që të dënojmë pa mëdyshje terrorizmin dhe mbështetësve të tij në të gjitha format.

"Ne nuk duhet të lejojmë terroristët të minojnë përparimin që kemi bërë në ndërtimin e një shoqërie paqësore të bazuar në parimet e demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës. Për më tepër, ne bëjmë thirrje për një hetim ndërkombëtar të plotë dhe të paanshëm për ekzistencën e kampeve të trajnimit për terroristët në Serbi. Prania e objekteve të tilla nuk është vetëm një shkelje e normave ndërkombëtare, por edhe një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë rajonale dhe globale. Së bashku, me anëtarët e Këshillit të Evropës, ne duhet të solidarizohemi kundër terrorizmit dhe të punojmë pa u lodhur për të siguruar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë në Kosovë", tha Gashi.

Ai i ka bër thirrje Serbisë që të largojë trupat e saj ushtarake nga kufiri me Kosovën. Sipas tij ky veprim nuk është vetëm thelbësor për stabilitetin rajonal, por edhe në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare dhe parimet e paqes dhe sigurisë.

"Prania e trupave ushtarake në kufirin e Kosovës ka potencial të përshkallëzojë tensionet dhe të rrezikojë paqen e brishtë në rajon. Ne besojmë fuqimisht se dialogu dhe diplomacia paqësore janë mjetet më efektive për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe për të garantuar sigurinë e të gjitha palëve të përfshira. Vendosmëria jonë kolektive për të luftuar terrorizmin, për të mbështetur vlerat e Këshillit të Evropës dhe për të siguruar një të ardhme më të sigurt për të gjithë mbetet e palëkundur. Le të ecim përpara me vendosmëri dhe unitet, të udhëhequr nga parimet e drejtësisë dhe paqes", tha Gashi.


MË SHUME NGA Kosovë