Goxhaj: Shqipëria të kërkojë rezolutë të re nga Këshilli i Evropës
BKT
Kosovë

Goxhaj: Shqipëria të kërkojë rezolutë të re nga Këshilli i Evropës

Sh.G/ RTKlive

Ish-luftëtari i UÇK-së nga Shqipëria, Dritan Goxhaj, ka adresuar kritika ndaj klasës politike në Shqipëri, karshi zhvillimeve në Kosovë për mosreagimin e duhur ndaj shtetit të Kosovës.

Ai tha se politikanët e Shqipërisë duhet të jenë të bashkuar kur është në pyetje Kosova.

Goxhaj, ndër të tjera tha se Shqipëria duhet të kërkojë nga Këshilli Evropës që të ndryshojë në tërësi raportin që ka të bëjë më luftën në Kosovë, në këtë rast raporti për ‘trafikim të organeve në Kosovë”.

“Shqipëria duhet të kërkojë rezolutë të re nga KiE, për shkak se në kokë të raportit të Dick Marty-t shkruan për trafikimin e organeve”, tha Goxhaj.

“Koka e raportit ka tre rreshta, ku flet për trafikimin e organeve në Kukës. Kuvendin e Shqipërisë, pasi që, sipas tij, më shumë është për folklor”, tha ai.

Dilaver Goxhaj: Ajo që ndodhi me djalin tim ishte një luftë pa gjakderdhje

Ndërkaq, babai i Dritanit, Dilaver Goxhaj, ish-ushtar i UÇK-së, lidhur me burgimin 70-ditësh, tha se koha pa Dritanin ka qenë një periudhë jo e lehtë,  jo aq nga mungesa e tij, sa nga një absurditet i akuzës.

“Në fletarrestin e lëshuar nga një gjykatës i vetëm i Gjykatës Speciale, midis të tjerave thotë: ka frikësuar dëshmitarët, ka penguar zyrtarët dhe ka bërë propagandë në mbrojtjen e UÇK-së kundër Gjykatës Speciale e të akuzohesh për propagandë për mbrojtjen e UÇK-së do të thotë se kjo gjykatë është kundër UÇK-së”, deklaroi kolonel Goxhaj, teksa sqaroi më tej se kjo do të thotë që kjo gjykatë ta shpallë UÇK-në si ushtri terroriste, ndaj, vuri në dukje ai, lufta e UÇK-së do të vlerësohej si një luftë e padrejtë dhe Kosova do të mbetej si pjesë e Serbisë.

Votimin e Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës,  e quan absurditet.

“Ajo që ndodhi me djalin tim ishte një luftë pa gjakderdhje”, deklaroi kolonel Goxhaj.

Ai u shpreh falënderues ndaj avokatëve, gjykatësit, si dhe medieve në Shqipëri, të cilët sensibilizuan çështjen e Dritanit e rrjedhimisht edhe të UÇK-së.

“Falë avokatëve të zotë që zotërojnë profesionin e tyre, falë një gjykatësi që i ka qëndruar besnik juridiksionit e të drejtës, si dhe medieve, që i dhanë jehonë luftës së drejtë të UÇK-së, sikurse në periudhën e luftës në Kosovë”,  deklaroi kolonel Dilaver Goxhaj, ish-ushtar i UÇK-së, në RTKPrime.

Ai, ndër të tjera, tha se është krenar dhe me fat që ka qenë pjesëtar i UÇK-së.


MË SHUME NGA Kosovë