Bislimi takon zyrtarin e BE-së, e njofton për sulmin terrorist në Banjskë
BKT
Kosovë

Bislimi takon zyrtarin e BE-së, e njofton për sulmin terrorist në Banjskë

E. Hoti / RTKlive

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim zëvendësdrejtorin për Evropë i Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) të BE-së, Marko Makovec.

Zyra e zëvendëskryeministrit ka njoftuar se gjatë takimit zëvendësdrejtori i EEAS-it, Makovec shprehu ngushëllimet e tij për vrasjen me 24 shtator të rreshterit të Policisë së Kosovës, tashmë Hero i Kosovës, Afrim Bunjakun. Po ashtu, ai vlerësoi lartësisht profesionalizmin, maturinë e menaxhimin e situatës nga Policia e Kosovës.

“U diskutua më hollësisht rreth këtij agresioni terrorist, paramilitar e kriminal, ku zëvendëskryeministri Bislimi e informoi  Makovec rreth detajeve të këtij operacioni që shpërfaqin objektivat e Serbisë me synim në destabilizimin e rajonit”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu në takim u bisedua dhe mbi pritshmëritë në kuadër të agjendës së integrimeve evropiane.

Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se Republika e Kosovës e vlerëson lartësisht iniciativën e Komisionit të BE-së për planin e ri për zgjerim.

“U theksua dhe se procesi i integrimit evropian duhet të jetë i bazuar në meritokraci dhe të ofrojë instrumentet e barabarta për të gjitha shtetet, me qëllim avancimin e agjendës evropiane e përmbushjen e reformave”, thuhet tutje në njoftim.


MË SHUME NGA Kosovë