Drenas, përurohet shkolla e renovuar “Zenel Hajdini” në Tërstenik
V.TH. / RTKlive
Është promovuar renovimi i shkollës “Zenel Hajdini” në Terstenik të Drenasit, me vlerë rreth 500 mijë euro, donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku të pranishëm ishin ambasadori Jeff Hovenier, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, nënkoloneli amerikan Conley, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, arsimtarë, prindër e nxënës.
Me këtë rast ambasadori Hovenier, ka thënë se është kënaqësi të mbështesësh rininë kosovare dhe shkollimin e tyre.
“Falë donacionit prej 500 mijë dollarësh, studentët kosovarë do të mund të studiojnë në një ambient të sigurt dhe komod”, ka shkruar Hovenier në Facebook.
Kurse Ministrja Arbërie Nagavci, ka theksuar se, kjo shkollë pa dyshim që e meriton plotësisht këtë mbështetje, duke qenë një ndër shkollat e para në Drenas, vend ky i cili ka dhënë shumë edhe për lirinë e Kosovës.
Ministrja tha se këtë punë dhe sakrificë na mbetet ta përkthejmë në punë dhe fëmijëve tanë t’u ofrojmë më shumë mundësi, ndërsa uroi nxënësit, mësimdhënësit dhe gjithë komunitetin për këtë shkollë që tashmë ofron kushte për mësimdhënie dhe mësimnxënie cilësore.
Pasi që theksoi se ky donacion është në linjë paralele me punën që Ministria e Arsimit është duke bërë në tërë sistemin shkollor të vendit, ministrja Nagavci falënderoi Qeverinë amerikane për kontributin dhe ndihmën e vazhdueshme që jep në sektorin e arsimit në Kosovë.
Nagavci gjithashtu theksoi se, si Ministri jemi të përkushtuar që të ofrojmë kushte për arsimimin cilësor të fëmijëve, duke e pasur fokusin e veçantë tek infrastruktura shkollore, si pjesë me rëndësi e punës drejt përmirësimit të cilësisë së arsimit në shkollat tona.
E kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shprehur mirënjohje ambasadorit Hovenier dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se “Ju keni bërë një vepër të madhe humane për komunën tonë dhe këtë ne nuk e harrojmë. Ashtu sikur nuk i harrojmë miqtë e ditëve të rënda kur popullit të Kosovës i kanosej zhdukja”.























