Dita e 10-të e grevës, shumë minatorë po kërkojnë ndihmë mjekësore
Arbenita Marmullaku/RTK-Radio
Minatorët e Trepçës kanë hyrë në ditën e dhjetë të grevës. Ata po kërkojnë përmirësim të kushteve të punës, pagë të rregullt, sigurime shëndetësore dhe largimin e kryeshefit të ndërmarrjes. Të vendosur të mos dalin nga greva deri në realizim të këtyre kërkesave, gjendja e tyre shëndetësore thuhet se nuk është fare e mirë. Nënkryetari i Sindikatës së Punëtorëve, Gani Osmani tha për Radio Kosovën se deri në 20 punëtorë në ditë po kërkojnë ndihmë mjekësore.
Greva e minatorëve të Trepçës po vazhdon edhe sot. Sipas kryetarit të punëtorëve të Trepçës, Gani Osmani, gjendja e minatorëve të mbyllur është shumë e rëndë të cilët përkundër kësaj kanë vendosur të mos dorëzohen deri në realizimin e kërkesave të tyre.
“Deri në orën 12:00 mbrëmë greva ka vazhduar, gjendja momentale e minatorëve është katastrofale, ata janë të vendosur, nuk do të dalin, intervenime mjekësore ka. 15 deri në 20 persona në ditë që lypin ndihmë mjekësore”, tha ai.
Osmani tha se mbrëmë bordi i "Trepçës" është takuar me dikë nga deputetët mirëpo nuk ka informacione për ndonjë rezultat. Ndërkaq ai tha se "Trepça" nuk ka prodhuar që 10 ditë.
“Ne pagat i marrim prej djersës sonë, 1200 punëtorë i marrin pagat nga ne e edhe kryeshefi. Ne jemi të vetëdijshëm që shkojmë në humbje, mirëpo deri në realizim të kërkesave nuk ndalemi. Trepça nuk është duke prodhuar që 10 ditë”, deklaroi ai.
Minatorët e “Trepçës” kanë hyrë në ditën e dhjetë të grevës. Ata po kërkojnë përmirësim të kushteve të punës, pagë të rregullt, sigurime shëndetësore dhe largimin e kryeshefit të ndërmarrjes.
Ndërsa Ndërmarrja “Trepça” përmes një njoftimi ka thënë se minatorët në Artanë dhe Kishnicë kanë ndërprerë grevën e nisur qe disa ditë.























