Kelmendi vlerëson pozitivisht punën e prokurorive në Gjakovë dhe Pejë
Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, së bashku me prokurorin përgjegjës nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit për monitorimin e punës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Bahri Hyseni, ka vizituar Prokurorinë Themelore në Gjakovë ku është pritur nga U.D. Kryeprokurori, Enis Gashi dhe prokurorët e kësaj prokurorie.
"Në këtë takim, U.D. Kryeprokurori Kelmendi ka zhvilluar diskutime përmbajtjesore me U.D. Kryeprokurori Gashi dhe prokurorët e kësaj prokurorie për çështje të ndryshme profesionale, veçanërisht për trajtimin e rasteve të korrupsionit, rastet e dhunës në familje, rastet kur viktimat janë persona të mitur, si dhe për çështje tjera me të cilat prokurorët përballën gjatë punës së tyre të përditshme:, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, gjatë këtij takimi është diskutuar për nevojat dhe sfidat e kësaj prokurorie, me këtë rast, U.D. Kryeprokurori Kelmendi ka ofruar mbështetje për prokurorët e Prokurorisë Themelore në Gjakovë në kryerjen e detyrave të tyre ligjore gjatë trajtimit të rasteve penale.
Kelmendi, së bashku me prokurorin përgjegjës nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit për monitorimin e punës së Prokurorisë Themelore në Pejë, Agron Qalaj, ka zhvilluar vizitë zyrtare edhe në Prokurorinë Themelore në Pejë, ku është pritur nga Kryeprokurori, Agim Kurmehaj, prokurorët e kësaj prokurorie dhe menaxheri i zyrës regjionale për mbrojtjen dhe ndihmë të viktimave.
"Kryeprokurori Kurmehaj e ka njoftuar U.D. Kryeprokurorin Kelmendi lidhur me gjendjen, progresin dhe sfidat në këtë prokurori. Në kuadër të diskutimeve të përbashkëta u bisedua edhe për vështirësitë profesionale që i ka kjo prokurori, veçmas në bashkëpunimin me institucionet përkatëse që janë të obliguara ta mbështesin Prokurorin e Shtetit në kryerjen e detyrave ligjore, nevojën për shtimin e numrit të prokurorëve dhe çështje tjera më rëndësi që prokurorët e kësaj prokurorie ballafaqohen gjatë punës së tyre", theksohet në njoftim.
U.D. Kryeprokurori i Shtetit ka vlerësuar punën e Prokurorisë Themelore në Pejë me ç’rast iu ka ofruar mbështetje dhe përkrahje në punën e tyre profesionale.























