Uji i liqenit të Badocit ende mbetet i papijshëm|Video
BKT
Kosovë

Uji i liqenit të Badocit ende mbetet i papijshëm|Video

Valjete Shala|RTK

Uji nga Liqeni i Badocit vazhdon të mos përdoret për pije, për shkak të prezencës së lartë të manganit. Kjo situatë ka bërë që shumë lagje të Prishtinës, që furnizohen me ujë nga ky liqen, të mos kenë ujë të pijshëm.

Ujin e Liqenit të Badocit, Armend Spojani po e përdor vetëm për peshkim dhe jo për pije. Kjo pas prezencës së manganit në ujë dhe rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndeti Publik, që për një kohë të pacaktuar të mos përdoret ky ujë.

Uji i destinuar për pije nga Liqeni i Badocit vazhdon të ketë vlera të larta të manganit. Kjo ka bërë që banorët që furnizohen nga ky liqen, më shumë se dy javë, të mos kenë ujë të pijshëm.

Se si erdhi deri të rritja e vlerave të manganit në ujë, ka shpjeguar për RTK-në Burbuqe Nushi, shefe e Njësisë së Ujit në Departamentin e Ekologjisë Humane në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik.

“Për shkak të qarkullimit në liqen dhe mungesës së sasisë të oksigjenit, mangani katër valent që është o grimcuar në shtresën e poshtme, shndërrohet në mangan dy valent e që është i tretshëm, pra nuk shihet. Më e keqja është që as me fazat apo metodat e trajtimit, nuk munden me e ndalë, sepse është fenomen natyror”, tha Burbuqe Nushi, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Nushi nuk e përjashton as efektin nga ngrohja globale.

“Ka ndodhur në çdo vit, jo vetëm në Kosovë. Por sivjet kjo fazë ka zgjatur më shumë dhe vlerat kanë qenë më të larta. Mundem me thanë ndoshta me përgjegjësi jo shumë të plotë, por, po, jemi duke e përcjellë situatën dhe përgjegjëse është edhe ngrohja globale”, tha Burbuqe Nushi, nga Instituti  Kombëtar i Shëndetit Publik.

Nga Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” bënë të ditur për RTK-në se po vazhdon rënia e nivelit të manganit, duke mundësuar, kështu, përmirësimin me furnizim me ujë të pijshëm nga Badoci.


MË SHUME NGA Kosovë