Akademia organizoi tryezë për mjedisin|Video
BKT
Kosovë

Akademia organizoi tryezë për mjedisin|Video

Fatos Cervadiku /RTK

Me temën "Ndotja e mjedisit nga materialet plastike dhe substancat organike rezistente", u organizua tryezë shkencore nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Në tryezën ku morën pjesë edhe akademikë nga Shqipëria, u diskutua edhe për mënyrën e trajtimit të materialeve plastike në mjedis.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka diskutuar për materialet plastike që e ndotin mjedisin. Akademikët hapën shumë tema rreth ndotjes së mjedisit, ndër to edhe trajtimi i materialeve mikroplastike dhe substancave organike të pazbërthyera me procese membranore, si dhe largimi i mbetjeve farmaceutike, prej ujërave të hedhura të spitalit me anë të oksidimit fotokatalitik.

 “Plastika është material që zbërthehet vështirë, kurse ka edhe jetëgjatësi me qindra vite e po ashtu vështirë riciklohen, prandaj janë burim i ndotjes së mjedisit dhe hasen pothuajse kudo në tokë”, tha Fetah Podvorica, anëtar korrespodent i ASHAK-ut.

 “Natyrisht që problemet janë shumë të mëdha, potenciali ndotës elemente tjera farmaceutike zë një gamë të gjerë substancash që shkaktojnë jo vetëm inaktivizimin e jetës së gjallë”, tha Ilirjan Malollari, nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë.

 “Masat plastike janë të konsumueshme shumë dhe janë një prodhim shumë i madh i tyre dhe në këtë mënyrë prodhojnë edhe mbeturina. Diku afër 300 milionë ton në vit prodhohen në masa plastike dhe diku 400 milionë mbetje të tyre”tha Salih Gashi, anëtar korrespodent i ASHAK-ut.

Në tryezë janë trajtuar edhe tema të tjera, me folës të ndryshëm.


MË SHUME NGA Kosovë