Qytetarët e Podujevës ankohen se punimet për rrugën po nisin në dimër
BKT
Kosovë

Qytetarët e Podujevës ankohen se punimet për rrugën po nisin në dimër

Valjeta Shala / RTK

Një rrugë në Podujevë mban emrin e veprimtarit “Xhemail Mustafa”. Por, gjendja e saj është e mjerueshme. Banorët ankohen, kurse në komunë deklarojnë se punimet për rehabilitimin e saj, nuk pritet të përfundojnë para fundit të vitit 2024.

Gjendja në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Podujevë, pas nisjes së punimeve për rregullimin e saj, nuk është e mirë, raporton RTK.

Edhe pse i gëzohet projektit, Besnik Rexhepi thotë se punimet po bëhen në kohë të papërshtatshme.

 “Kohën që e kanë zgjedh është e vonuar, edhe zvarritja e punimeve pastaj. Është shumë problem sepse është rruge e ngarkuar”, thotë Besnik Rexhepi, banor.

Edhe qytetarë të tjerë ankohen për vështirësitë në qarkullim në këtë rrugë, duke shpresuar se punimet të kryhen sa më shpejtë.

 “Kohë e pa kohë është kjo, e mundet me pas edhe reshje bore. Jemi 4-5 fshatra e është nise vone", thotë një tjetër qytetar.

"Kjo rrugë ka qenë e dëmtuar shumë, ju lutem që sa më intensivisht punimet”, thotë një qytetar.

Ndaj shqetësimit të qytetarëve është përgjigjur zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia.

“Arsye është se fillimisht është dashtë të bëhet hartimi i projektit i cili ka vonu pak kohë. Pastaj procedurat e prokurimit që kanë bërë që punimet të nisin në vjeshte. Presim që kompania të punojë me intensitet të shtuar”, Fatri Zhitia, zëdhënës i Komunës së Podujevës.

Punimet në rrugën “Xhemajl Mustafa” pritet të përfundojnë në fund të vitit 2024. Vlera e projektit është mbi 1 milion euro.


MË SHUME NGA Kosovë