Nis ekshumimi i gjashtë mbetjeve mortore në Skenderaj
BKT
Kosovë

Nis ekshumimi i gjashtë mbetjeve mortore në Skenderaj

F.S / RTKlive

Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, kanë gjetur mbetje mortore të gjashtë personave në një lokacion në Prekaz të Poshtëm, të cilët dyshohen të jenë nga lufta e fundit.

Në një njoftim për media nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, thuhet se ky institucion ka zbatuar Urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, për ekshumimin e tyre në Prekaz të Poshtëm.

“Gjatë gërmimeve-kërkimeve, janë hasë disa mbetje mortore që dyshohet të jenë të disa personave nga lufta e fundit. Më datë, 09 nëntor 2023 janë gjetur skelete të tre trupave. Hulumtimet kanë vazhduar edhe ditëve në vazhdim, kështu me 20, 21 dhe 24 nëntor 2023 janë hasur gjetje edhe të tre personave të tjerë. Pra, gjatë gërmimeve në këtë lokacion janë gjetur dhe më pas janë tërhequr nga ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore gjithsej trupa (gjetje eshtërore) të 6 (gjashtë) personave që dyshohet të jenë trupa të zhdukur gjatë luftës së fundit”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se hulumtimet në këtë lokacion konsiderohen të mbyllura për institucionet e përfshira në këtë rast, por puna në koordinim dhe bashkëpunim mes këtyre do të vazhdojë duke trajtuar çdo informacion që do të ofrohet me qëllim të zbardhjes së rasteve tjera.

“Me këtë rast, ftohen edhe një herë gjithë ata që mund të kenë ndonjë informacion për ndonjë varr individual apo varreza, të ofrojë të dhëna tek institucionet përkatëse”, thuhet në njoftim.


MË SHUME NGA Kosovë