Komuna e Malishevës nderon dëshmorët me rastin e shënimit të 28 Nëntorit
V.Th. RTKlive
Komuna e Malishevës me rastin e festave të nëntorit, ka zhvilluar disa aktivitete.
Komuna përmes një komunikate për media njofton se me këtë rast, sot është mbajtur një mbledhje solemne e Kuvendit të Komunës, si dhe janë bërë nderime dhe homazhe në varrezat e dëshmorëve në Malishevë, Kleçkë dhe Prekaz.
Kuvendi i Komunës së Malishevës, ka mbajtur mbledhje solemne, ku është folur për rëndësinë e festave të nëntorit, përkatësisht 28 Nëntorit, datë në të cilën lidhen shumë ngjarje të rëndësishme për kombin shqiptar, duke filluar nga viti 1443, kur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, ngriti flamurin Kuq e Zi në Krujë, për të vazhduar më 28 Nëntor të vitit 1912, me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjen e flamurit në Vlorë nga Ismail Qemali. Por nëntorët nuk u ndalën në këto dy ngjarje, pasi më 28 nëntor 1955, lindi Adem Jashari, komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ushtri e cila paraqitjen e saj të parë publike e bëri më 28 nëntor të vitit 1997.
Për rëndësinë e kësaj date të shenjtë për popullin shqiptar, ka folur edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, në fjalën e tij, në mbledhjen solemne të Kuvendit të Komunës së Malishevës.
“Shënimi i kësaj date, është gjëja më e vogël që mund të bëjnë ne, në këtë rrugëtim të gjatë e plotë sakrifica të kombit shqiptar, rrugëtim në të cilin, kontribut të madh ka dhënë edhe territori i Llapushës, përkatësisht i Malishevës, në të gjitha përpjekjet dhe lëvizjet e popullit shqiptar, në të gjitha kohërat”, tha mes tjerash kryetari Kastrati.
Edhe kryesuesi i KK të Malishevës, Argjend Thaçi, në fjalën e tij, në mënyrë kronologjike i ka paraqitur përpjekjet e popullit shqiptar, duke u ndalur në datën më të rëndësishme, që lidhen ngjarjet më të mëdha historike, datën e 28 Nëntorit.
Në emër të shoqatave të dala nga lufta, një fjalë rasti e ka mbajtur edhe kryetari Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Malishevë, Sinan Gegaj, i cili gjithashtu ka folur për rëndësinë e 28 Nëntorit dhe historisë së popullit shqiptar, në përpjekjet e tyre shekullore për liri, përpjekje e cila kulmoi me luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.


























