Era shkakton dëme të mëdha në rajonin e Rekës së Keqe, banorët s’kanë rrymë
Islam Haxhiu/RTK
Era e madhe që po fryn tash e 24 orë në Gjakovë përkatësisht në rajonin e Rekës së Keqe ka lënë pa energji elektrike banorët e kësaj ane. Poashtu, janë dëmtuar edhe ekonomi familjare e sidomos pullaze shtëpish.
Nëpër shumë fshatra është dëmtuar krejtësisht rrjeti i energjisë elektrike pasi që shtyllat kanë rënë përtokë, duke paraqitur kështu rrezik të madh edhe për kalimtarët.
Në orët e mesditës nëpër shumë lagje të mbetura pa energji, ekipet e KEDS-it janë parë në teren në përpjekje për të sanuar gjendjen edhe pse dëmet janë shumë të mëdha. Gjendje më e rëndë është në fshtatrat Batushë, Nikovaz dhe Dobrosh.
KEDS ka njoftuar se pas raportimit të mbrëmshëm për përfshirjen e rajonit të Dukagjinit nga erëra të forta, për të vazhduar më tej edhe në atë të Mitrovicës e të Prizrenit ka shtuar mobilizimin e ekipeve në terren.
Në njoftim bëhet e ditur se të dhënat e fundit nga KEDS paraqesin një situatë të përkeqësuar në distriktet e Pejës, Gjakovës, Mitrovicës dhe Prizrenit, ku janë shkaktuar dëme në shtylla dhe në përçues elektrikë.
“Ekipet e terrenit ndodhen në gatishmëri 24/7 me qëllim që konsumatorëve të prekur nga këto kushte atmosferike, t’u kthehet sa më parë furnizimi me energji elektrike, për çka i falënderojmë për mirëkuptim”, thuhet në njoftim.


























