Hyjnesha e shtetit, trofeu për gratë që mbështesin grupet e margjinalizuara
BKT
Kosovë

Hyjnesha e shtetit, trofeu për gratë që mbështesin grupet e margjinalizuara

M.P. / RTKlive

33 gra janë nderuar në ceremoninë solemne “Hyjnesha e shtetit”, e organizuar nga Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në `International Human Rights Commission`, Elvana Shala, si mirënjohje për kontributdhënëset për grupet e margjinalizuara.

Ceremonia nisi me një minutë heshtje për Liridona Ademajn, e cila mbeti e vrarë pak ditë më parë, e që dyshohet se porositësi i vrasjes është bashkëshorti i saj.

Ndërkaq, Shala tregoi për simbolikën e numrit të grave të nderuara.

“Numri 33 zgjidhet në bazë të moshës sime, me idenë që të nderoj secilën që ishte motiv nga vitet e 90’ta, në këtë rrugëtim të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë. Kjo ceremoni dhe ky dekorim uroj t’ju jap atyre edhe më shumë forcë e guxim, për të mos u ndalur drejt rrugës së integrimit të barabartë në shoqëri”, ka deklaruar Shala.

Kryeministri Albin Kurti nuk ka mundur të jetë prezentë, por sipas organizatores, do të mirëpres laureatet e çmimeve në një takim javën e ardhshme. Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se gratë e Kosovës janë gurthemeli i fuqisë kombëtare.

“Duhet të sigurohemi që gratë të kenë qasje të barabartë në punësim, arsim dhe të respektohen në çdo aspekt të jetës së tyre ashtu siç janë dhe ashtu siç duan të jenë”, ka thënë Gërvalla.

Ndërsa nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci tha se kjo ngjarje shërben si njohje për gratë të cilat kanë kontribuuar për këtë pjesë të shoqërisë.

“Vetëm kur ndërrojmë mendësinë arrijmë më shumë për të krijuar barazinë që e kërkojmë në vendin tonë, por jo vetëm. Mendoj që mund të japim kontribut edhe tutje dhe këtë e kemi dëshmuar me shumë raste”, ka deklaruar Bogujevci.


MË SHUME NGA Kosovë