Në Shtime policia realizon planin operativ ‘’Siguria në shkolla’’
RTKlive
Policia e stacionit në Shtime njofton se në kuadër të planit operativ ‘’Siguria në shkolla‘’ kanë realizuar një plan veprimi ‘’Stop mjeteve të ftohta dhe luftimi i dukurive kriminale“ në komunën e Shtimes, ku janë kontrolluar disa nxënës të shkollave të mesme të larta që udhëtojnë me autobusë në Shtime.
Në njoftim thuhet se sipas planit të veprimit janë kontrolluar autobusët e linjave: Shtime – Pjetërshticë dhe Zborc, Shtime – Petrovë, Shtime–Davidovc-Rashincë - Muzeqinë - Vojnovc dhe Shtime - Godanc.
Tutje thuhet se ky plan kishte për qëllim kontrollimin dhe informimin e nxënësve të shkollave të mesme, që mos të bartin me vete armë të ftohta (thika, boksa të hekurit etj.), sepse ato janë të ndaluara me ligj dhe mund të kenë pasoja të rënda të lëndimeve.
Plani operativ "Siguria në shkolla" do të vazhdojë edhe në ditët në vijim për parandalimin dhe luftimin e dukurive negative rreth dhe nëpër shkolla.
Policia Rajonale e Ferizajt fton qytetarët për bashkëpunim dhe nëse kanë informacione rreth dukurive negative nëpër shkolla të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt , apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmë ro Policinë ’’ dhe në numrat kujdestarë: 192 , 0290/326-250 & 0290/322-406.
























