Aksidente të shpeshta në Ferizaj, shkak mungesa e sinjalistikës rrugore
BKT
Kosovë

Aksidente të shpeshta në Ferizaj, shkak mungesa e sinjalistikës rrugore

Driton Ramadani /RTK

Vendosja e pengesave në rrugën e fshatit Nerodime e Epërme të Ferizajt është kërkesë e banorëve për të shmangur numrin e aksidenteve. Në komunë thonë se kanë vendosur shenja horizontale dhe vertikale të komunikacionit.

Kjo pjesë e rrugës kryesore në fshatin Nerodime e Epërme, nga banorët e këtij fshati po konsiderohet si shumë e rrezikshme për trafik. Banorët po kërkojnë vendosjen e pengesave në rrugë për t’i shmangur aksidentet e shpeshta që po ndodhin në këtë lagje.

 “Një policë i shtrirë të jetë këtu diku afër dhe një tjetër tek shitorja këtu ose më poshtë për arsye se janë bërë mbi 5 aksidente këtu edhe gjatë punimeve që janë bërë në rrugë ka mbetur dy gropa të hapura që janë afër një vit. Por edhe nëse gropat me qenë të mbyllura këtu zhvillohet një shpejtësi shumë e madhe", tha Avni Nuhaj, banor i fshati Nerodime e Epërme.

Në komunë deklaruan se në këtë rrugë janë të vendosura shenja adekuate sinjalizuese.

“Në atë rrugë duke filluar nga fillimi i rrugës ‘Epopeja e Jezercit’ e deri në fshatin Nerodime e kemi bërë vendosjen e gungave artificiale për qetësimin e komunikacionit. Gjithashtu është e sinjalizuar me shenja vertikale me shenja horizontale të cilat paralajmërojnë shoferët për kufizimin e shpejtësisë për kthesat e mundshme”, tha Arsim Aliu, përgjegjës i Komunikacionit në Drejtorin e Shërbimeve Publike në Ferizaj.

Në Policinë e Kosovës deklarojnë se në rajonin e Ferizajt ka pasur disa aksidente.

 “Javën që lamë pas në Policin Rajonale të Ferizajt janë raportuar gjithsejtë 35 aksidente prej tyre 13 aksidente kanë qenë me lëndime me 32 persona të lënduar kurse 22 aksidente kanë qenë me dëme materiale. Janë shumë faktorë që ndikojnë në aksidente të komunikacionit. Ndër fajtorët kryesor është tejkalimi i shpejtësisë, tejkalimi në vijë të plotë mos përshtatja e shpejtësisë në kushte të rrugës, kyçet e pasigurta mos mbajtja e distancës” tha Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajt.

Ngasësve u apelohet t’i respektojnë shenjat e komunikacionit dhe t’u përshtaten kushteve atmosferikë.


MË SHUME NGA Kosovë