Nënshkruhet marrëveshja për ujërat e zeza për 4 komuna me 500 mijë banorë
M.P. / RTKlive
Ministria e Financave bashkë me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, ka nënshkruar marrëveshje për rehabilitimin e ujërave të zeza të rajonit të Prishtinës.
Projekti “Klima e Përshtatshme për Zhvillimin Urban të Ujërave të Zeza – Prishtinë” kap vlerën e 13.2 milionë eurove, ndërkaq ministri Hekuran Murati tha se me këtë rast do të bëhet rehabilitimi i rrjetit të kanalizimit.
“Ky projekt kontribuon në zhvillimin e qytetit të Prishtinës duke reduktuar ndotjen, ruajtur ekosistemet natyrore dhe mundësuar përshtatjen në ndryshimet klimatike”, tha ai.
Kryeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arsim Fetahu, ka treguar se ky projekt do të përfshijë katër komuna me rreth 500 mijë banorë.
“Ky projekt përfshinë komunën e Prishtinës, Fushë-Kosovës, Obiliqin dhe Graçanicën. Qëllimi i projektit është që të kontribuoj në menaxhimin e ujërave të zeza dhe në përmirësimin e mjedisit dhe mbrojtjen e burimeve sipas standardeve të përcaktuara nga BE”, tha Fetahu.
Ky projekt iu shtohet marrëveshjes fillestare, me grant prej 28.8 milionë euro, duke u bërë vlera totale 42 milionë euro.























