Aliu: Mirëpresim vendimin për Kompelskin Memorial ‘Masakra e Reçakut’
N.M. /RTKlive
Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, thotë se ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës e cila dje ka miratuar inicimin e procedurës për shpronësimin e pronës së paluajtshme për realizimin e Projektit për konservimin dhe restaurimin e shtëpisë së Kompelskit Memorial “Masakra e Reçakut”.
Aliu, në një postim në Facebook, ka shkruar se tani në përvjetorin jubilar, i 25-të, një çerekshekull nga ngjarja me përmasa të gjera ndërkombëtare e Masakrës së Reçakut, “jemi të nderuar që sot është miratuar inicimi i procedurës së shpronësimit për restaurimin e Kompleksit Memorial "Masakra e Reçakut".
“Ky veprim nënkupton krijim të hapësirës shtesë për konservimin e këtij Kompleksi, duke siguruar trajtim të duhur, të përshtatshëm e të dinjitetshëm për këtë monument që simbolizon dhe është gur i provës e i të vërtetës për një ngjarje makabre që ka ndodhur më 15 janar 1999 në fshatin Reçak, duke masakruar civilë të paarmatosur të të gjitha moshave. Kompleksi Memorial "Masakra e Reçakut" e ka vëmendjen e merituar të institucioneve të Republikës së Kosovës përkitazi me relevancën e jashtëzakonshme historike që Memoriali përfaqëson”, ka shkruar Aliu.























