Cramon kërkon rritjen e buxhetit të transmetuesit publik
V.Th. RTKlive
Deputetja e Parlamentit Evropian dhe Raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon-Taubadel, në konferencë për media në kuadër të vizitës së saj katërditore në Kosovë, tha se fokusi i takimeve që ka pasur ka qenë për zbatimin e ligjit.
Cramon deklaroi se në Kosovë mungon transparenca e autoriteteve publike ndaj medieve, duke shtuar se autoritetet duhet të japin më shumë informacione gazetarëve në mënyrë që të informohet popullata.
Ajo theksoi se transmetuesi publik duhet të jetë i pa anshëm dhe se ka kërkuar rritjen e buxhetit për të.
Cramon theksoi se kërkohet që autoritetet publike të kenë më shumë transparencë me mediat dhe të shkëmbejnë informacione me gazetarët sa i përket informacionit.
"Çfarë po shoh është se lufta kundër korrupsionit është duke vazhduar, reformat janë duke marrë udhë", tha Cramon.
Ajo uroi qytetarët e Kosovës për liberalizimin e vizave, duke thënë se të gjithë kemi luftuar shumë për këtë.
“Uroj që më në fund Kosova mori liberalizimin e vizave, të gjithë kemi luftuar shumë për këtë, të gjithë kemi pasur përshtypjen se ka qenë situatë diskriminuese, ku të gjitha shtetet e rajonit kanë mundur të udhëtojnë, përveç Kosovës, për këtë uroj të gjithë”, tha ajo.
Ndërsa sa i përket dialogut me Serbinë, Von Cramon tha “gjërat janë shumë dinamike, kemi parë pak progres”.
Tutje ajo foli edhe për zgjedhjet në Bashkimin Evropian. "Unë si mike e mirë e Kosovës, dëshiroj të shoh progres brenda këtyre muajve para se të shkojmë në kampanja të ndryshme të zgjedhje, sepse Brukseli do të mbyllet dhe të gjithë do të merren me zgjedhje, kjo është kërkesa ime ndaj të gjithë atyre që merren me politik dhe me vendimmarrje në Kosovë”, tha ajo.
Këshillë tjetër ndaj qeverisë së Kosovës e Cramon ishte që të implementohet menjëherë bashkësia e komunave serbe.























