Blakaj kritikon autoritetet: Dokumentimi i masakrave barrë e shoqërisë
M.P. / RTKlive
Në 25 vjetorin e Masakrës së Reçakut, njohësit e dokumentimit të krimeve të luftës vlerësojnë se institucionet vendore kanë bërë shumë pak, teksa gjithë barra ju ka takuar familjarëve apo shoqërisë civile.
Kështu ka deklaruar Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, në “Info Plus” të RTK-së.
“Mendoj që autoritetet në Kosovë nuk kanë bërë mjaftueshëm në dokumentimin e të gjitha këtyre masakrave. Kjo barrë më shumë iu është lënë shoqatave të familjarëve, vet familjarëve apo organizatave jo-qeveritare. Dokumentimi i gjithë masakrave dhe krimeve të luftës së fundit në Kosovës nuk do të duhej të vazhdohej të mbetet barrë e mision i shoqërisë civile, por institucionet duhet të merren seriozisht”, ka thënë ai.
Tutje ai ka treguar se me kalimin e kohës, provat janë zhdukur dhe tashmë dokumentimi 25 vjet pas luftës është shumë i vështirë.
“Nuk mund të flasim më për prova materiale apo forenzike, shumica nga to janë zhdukur përgjithmonë. Dokumentacionet të cilat mund të kenë dal pas kryerjes së masakrave, besoj që shumica nga to janë në arkiva të mbyllura, të fshehta ose janë me posedim të individëve gjatë kryerjes së krimeve. Pra s’mund të flasim as për dokumentacione”, ka thënë Blakaj.























