Prishtinë, objektet banesore kanë probleme me ngrohje|Video
Qendresa Duraku / RTK
Banorët e disa blloqeve banesore në rrugën “Muharrem Fejza” për rreth shkollës fillore “Pavarësia” të lagjes Mat, më shumë se një muaj po ankohen se kanë probleme me ngrohjen qendrore nga “Termokosi”.
Ata thonë se ankesa kanë dërguar edhe në “Termokos”, por thonë se nuk kanë marrë përgjigje.
Edhe një shtetas i huaj, i cili banon në këtë lagje u ankua për mosfurnizim me ngrohje.
Se kanë problem me furnizim të rregullt me ngrohje nga “Termokos”, e thotë edhe zëdhënësja e kësaj ndërmarrjeje, Afërdita Uka. Ajo tha se 118 objekte banesore të cilat furnizohen me ngrohje nga ndërmarrja “Termokos”, 4 prej tyre kanë pasur ankesa.
"Ekipet tona në terren dhe departamentet tona përkatëse kanë bërë gjithçka që është e mundur që t'i marrin të gjitha masat e nevojshme për të rikthyer furnizimin të mjaftueshëm dhe cilësor për këto objekte banesore, ngase nuk është e vërtetë se nuk kanë pasur asnjëherë me furnizim me ngrohje. Ka pasur një ndryshim të temperaturave të energjisë termike të cilat furnizohet këto 4 objekte banesore", ka thënë Uka
Lidhur me ankesën e banorëve për faturimin, Uka tha se konsumatorëve të “Termokosit” u është bërë një faturim minimal.























