MPB: Serbia nuk ka ndryshuar qasjen e saj kriminale ndaj qytetarëve serbë
BKT
Kosovë

MPB: Serbia nuk ka ndryshuar qasjen e saj kriminale ndaj qytetarëve serbë

M.Miftari/RTKlive

Ministria e Punëve të Brendshme dënon ashpër sulmin ndaj kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Leposaviqit, Gorski Guriç.

Përmes një komunikate për medie MPB bën të ditur se nga Policia e Kosovës është njoftuar se sot në orët e hershme të mëngjesit është djegur vetura e kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Leposaviqit, Gorski Guriç.

“Ky sulm ndaj Guriçit dëshmon se Serbia nuk ka ndryshuar qasjen dhe sulmet e saj kriminale ndaj qytetarëve serbë që janë lojal ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës. Ky akt është në vazhdën e djegieve të njëpasnjëshme të veturave të qytetarëve serb që bashkëpunojnë apo angazhohen në institucionet e Republikës sonë”, thuhet në komunikatë.

Tutje MPB thekson se sulmet e tilla të Serbisë që targetojnë qytetarët serb që angazhohen në institucionet e Kosovës synojnë që të krijojnë pasiguri tek qytetarët tanë dhe të përcjellin edhe mesazhin e fatit të atyre që duan të angazhohen në institucionet e vendit.

“Ftojmë Policinë e Kosovës për angazhim maksimal në zbardhjen e këtij rasti dhe sjelljen e kryesve para drejtësisë.Institucionet tona do të vazhdojnë të jenë të hapura për angazhim dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve tanë pa dallim”, thuhet në fund të komunikatës.


MË SHUME NGA Kosovë