Ibishi: Raporti i ICG për Kosovën është tendencioz
E. Hoti / RTKlive
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi ka thënë se raporti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG) në disa në disa fragmente është tendencioz ndaj Kosovës. Ai ka thënë se sipas këtij raporti në shumë çështje favorizohet Serbia e cila implikohet në çështje të Kosovës.
Ibishi në një intervistë në “Info Plus” të RTK-së ka thënë se ky raport është i stërngarkuar.“Sikur i bie që institucionet e Kosovës më së miri është të mos të veprojnë. Çdo hap që ndërmarrin këto institucione për vendosje të rendit, sigurisë publike, por edhe masa tjera në veri sikurse rregullorja e BQK-së që po paralajmërohet lidhur me unifikimin në aspektin financiar në mbarë vendin hasin në vlerësime joadekuate, shpeshherë edhe akuzuese ndaj institucioneve të Kosovës që mundohen ta shtrijnë sovranitetin në veri. Këto sugjerime janë të mirëseardhura nëse nuk janë tendencioze. Mirëpo, të rangohet situata e Kosovës mes dhjetë krizave më të mëdha në botë, apa çfarë e kanë apostrofuar, është e tepërt”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar se rendi dhe siguria publike asnjëherë nuk ka qenë më e mirë në katër komunat në veri të Kosovës.
“Gjithashtu tani po merren masat për zgjedhje në këto komuna. Por, çështje tjera që nuk kritikohen janë shumë institucione paralele që vazhdojnë të jenë në veri. Ankohen pse nuk ka punësim në arsim dhe shëndetësi, por ato institucione po i udhëheqin sistemet paralele serbe. Kjo vjen në kontradiktë me vetë vlerësimin e Grupit Ndërkombëtarë të Krizave”, ka thënë ai.
Ibish ka deklaruar se institucionet e Kosovës po zbatojnë plotësisht edhe ligjin, edhe udhëzimet administrative, edhe Kushtetutën me qëllim të krijimit të sovranitetit, të krijimit të një situate të qetë dhe stabile për të gjitha komunitetet atje. Sipas tij, raporti në disa fragmente është tendencioz.
“Sipas këtij raporti në shumë çështje favorizohet edhe Serbia që implikohet në çështje të Kosovës.Mandej favorizohet përtej mase.Nëse mendohet për integrimin e serbëve në veri të Kosovës, atëherë duhet të përfillin edhe Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe jo apriori të thirret në një sistem të një vetëqeverisjes të komunitetit serb brenda Kosovës”, ka nënvizuar ai.
Grupi Ndërkombëtar i Krizave në një raport të publikuar me titull “Drejt normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, thekson se nëse nuk gjendet zgjidhje për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, BE-ja duhet të bëjë presion për alternativa të tjera.
Në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, thuhet se Qeveria e Kosovës që nga viti 2021 “ka nxehur” situatën në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit duke refuzuar dhënien e autonomisë më të madhe për serbët.
Sipas ICG-së, çështja tjetër pengesë është refuzimi i Serbisë për ta njohur Kosovën.
“Pasi që këto mosmarrëveshje mbetën pa zgjidhje, Serbia dhe Kosova kanë ushtruar një formë të mbivendosjes së sovranitetit në veri – Serbia që ofron arsim e kujdes shëndetësor për banorët dhe Kosova është përgjegjëse për sundim të ligjit e gjykatat – por Kurti qartazi e ka humbur durimin me këtë rregullim. Ndër të tjera, ai ka vendosur policinë e armatosur rëndë në rajon, ka vënë embargo ndaj produkteve serbe për nevojat e qytetarëve, ka dëbuar institucionet serbe dhe ka ndaluar përdorimin e monedhës serbe. Qeveria e tij i ka justifikuar këto hapa pjesërisht duke përmendur kërcënimet e sigurisë, më së fundmi pas rastit të paraushtarakëve serbë që u zbulua se sillnin armatim të nivelit ushtarak nga Serbia, në shtator të 2023-s”, thuhet në raport.























