Pritet të nisë largimi i asbestit nga objektet që përmbajnë këtë material
Arbenita Marmullaku/Radio Kosova
Me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, Komuna e Prishtinës do të fillojë largimin e asbestit nga objektet që përmbajnë këtë lloj materiali. Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, përmes një përgjigje me shkrim ka thënë për Radio Kosovën se nga analiza e pranuar mund të shihet se azbesti është shfrytëzuar kryesisht në pullazet e objekteve, qoftë kolektive apo edhe individuale.
“Tani kemi një gjendje të qartë rreth sasisë dhe lokacioneve se ku gjenden këto materiale. Për sa i përket rrezikut të shëndetit të qytetarëve, mund të themi se nuk paraqesin ndonjë rrezik përderisa nuk intervenohet fizikisht në këto pullaze. Pullazet që konsiderohen se përmbajnë azbest janë ato të cilat si mbulesë kanë të shfrytëzuar panelet e lakuara të cilat në gjuhen popullore quhen “lesonit”, thuhet në përgjigje.
E që azbesti është shumë i dëmshëm për shëndet, ka treguar onkologu Ilir Kurtishi. Ai i tha Radio Kosovës se ky material është faktor i sëmundjes së kancerit të mushkërive.
“Azbesti është larguar nga përdorimi tash e disa vjet, sepse është vërtetuar se azbesti shkakton kancer në mushkëri. Pra, është një prej faktorëve të rrezikut për sëmundje malinje të mushkërive e kështu me radhë. Për këtë arsye kjo më nuk përdoret, dhe të gjitha materialet që janë përdorur më herët ku është marrë azbesti për bazë, janë duke i zëvendësuar me materiale të tjera. Kemi raste që mund të kenë qenë të ndërlidhura ku nuk kanë përdorur mjete të mbrojtjes në punë dhe kanë qenë si faktorë promotorë në shfaqjen e kësaj sëmundjeje”, ka thënë ndër të tjera onkologu Ilir Kurtishi.
E profesori dhe eksperti i çështjeve ekologjike, Zeqir Veselaj, thekson se rreziku është atëherë kur demolohet ndonjë objekt me azbest dhe fijet e këtij materiali bien në kontakt me njeriun. Sipas tij, fijet e azbestit është e pamundur të nxirren jashtë prej organizmit të njeriut, derisa shton se materiali kancerogjen duhet të hiqet vetëm përmes kompanive të specializuara për këtë punë.
“Në këtë pikë është edhe rrezikshmëria e madhe e azbestit për shëndetin njerëzor ku shkakton disa lloje të sëmundjeve por me e rrezikshmja është ajo e kancerit të mushkërive. Këto kanë qenë arsyet që mbi 50 shtete e kanë ndaluar përdorimin e azbestit. Demolimi i ndërtesave që përmbajnë azbest duhet të bëhet vetëm përmes kompanive të specializuara”, potencon Veselaj.
Lidhur me këtë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ditë më parë ka prezantuar një projekt “Prishtina pa azbest”, i cili ka për objektiv menaxhimin dhe largimin e azbestit nga objektet e ndryshme në kryeqytet. Ndërsa për komuna të tjera të Kosovës nuk ka ndonjë informacion nëse kanë filluar ta largojnë këtë material toksik.























