Prokuroria në Prizren ngrit aktakuzë për të dyshuarin e ryshfetit
M.P. / RTKlive
Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar për ngritjen e aktakuzës ndaj të pandehurit që dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri M.M. teksa kalonte në pikë kalimin kufitar në Vërmicë, ka ofruar një shumë parash ndaj policit në detyrë, në mënyrë që ai të mos e kryej detyrën e tij zyrtare.
“Duke e ditur se është në stop-listën e autoriteteve të Republikës së Shqipërisë, afrohet tek kabina e zyrtarit policor të Kosovës, me ç’rast derisa ky i fundit ishte duke bërë kontrollimin e dokumenteve, i pandehuri ia vendos në tavolinën e tij të punës shumën e parave prej dhjetë euro (10 €). I njëjti, menjëherë është ndaluar nga ana policisë kufitare të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit. I dyshuari ndodhet në paraburgim nga data 25 janar.























