Anulohet vendimi për këmbimin e pronave të komunës me ato private
BKT
Kosovë

Anulohet vendimi për këmbimin e pronave të komunës me ato private

B.H. / Sh.Ç /RTKlive

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka anuluar vendimin për këmbim të pronave komunale në Prishtinën e Re, me pronat private në Badoc.

Vendimi është marrë, të enjten, në një seancë të jashtëzakonshme, me 27 vota të asamblistëve.

Prezent në momentin e votimit ishin vetëm 32 asamblistë, teksa asamblistët e LDK-së e lëshuan sallën. Kjo seancë ishte thirrur me kërkesë të LVV-së dhe me mbështetje të PDK-së. Kjo e fundit është në koalicion qeverisës me LDK-në në kryeqytet.

Paraprakisht i pari i kryeqytetit, Përparim Rama ka paralajmëruar asamblistët për pasojat nëse anulohet vendimi për këmbimin e pronave. Ai në fjalimin e tij ka thënë se si qeverisje lokale kanë vepruar në përputhje me ligjin.

“Edhe njëherë po deklarojmë si qeverisje, se ne kemi vepruar në çdo moment të këtij procesi në përputhje me ligjin dhe manualin e Ministrisë së Pushtetit Lokal për këmbim të pronave. Ju lutem, ju e dini saktë çka thotë manuali për këmbim të pronave. Prandaj, sot vendimmarrja është në dorën tuaj si organ kompetent, secilin vendim qe do ta merrni mund të ketë pasoja në të ardhmen. Unë si kryetar i kryeqytetit, ashtu siç më obligon ligji, jam i obliguar që t’i zbatoj vendimet e Kuvendit të Kryeqytetit. Mirëpo, përgjegjësia dhe pasojat e mundshme janë tuajat”, ka thënë Rama.

Këmbimi i pronave, asamblistët në kryeqytet pritet ta anulojnë vendimin

(09:22) Kuvendi i Komunës së Prishtinës sot do të mbajë një mbledhje ku pritet të anulohet vendimi për këmbimin e pronave në Badovc.

Shefi i asamblistëve të PDK-së, Leutrim Retkoceri, ka bërë të ditur se mbledhja do të mbahet në orën 14:00, në sallën e Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Në këtë seancë pritet anulimi i këmbimeve të pronave në Badoc. Opozita përfshirë edhe partneren e koalicionit PDK-në janë deklaruar se “interesi i publik i qytetarëve të Prishtinës do të triumfojë mbi interesin e pronarëve të tokave dhe larjes së borxheve biznesore.

Kësaj mbledhje i kanë parapr disa zhvillime që kanë ndodhur në Komunë të Prishtinës. Kryetari Përparim Rama ka shkarkuar nga posti nënkryetaren Donjeta Sahatçiun, si dhe drejtorin e Shërbimeve Publike Ilirik Musliun, nga koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës.

E lidhur me shkarkimet në kryeqytet, kryetari Rama ka thënë se arsyeja e shkarkimit të Drejtorit të Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliut ka qenë moszgjidhja e problemit të mbeturinave në kryeqytet.

Rama, përveç shkarkimit të drejtorit Ilirik Musliu dhe nënkryetares Donjeta Sahatçiu, ka njoftuar edhe për krijimin e disa drejtorive të reja dhe shkrirjen e disa të tjerave në një drejtori të vetme.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar se Drejtoria e Pronës dhe Drejtoria e Kadastrit do të shkrihen në një Drejtori të Pronës dhe Kadastrit, e cila do të udhëhiqet nga Doruntina Maloku.

Ndërsa, drejtori i deritanishëm i Kadastrit, Donat Lushaku, është emëruar në pozitën e zëdhënësit të kryeqytetit.

PDK-ja në këtë koalicion qeveritar erdhi pas rezultateve në zgjedhjet e 31 tetorit 2021 për asamble komunale. Kjo parti politike i kishte fituar 9 asamblistë, pesë më pak se LDK-ja.

Partia më e madhe në kryeqytet, megjithatë, vijoi të ishte Vetëvendosja që i ka 17 asamblistë.


MË SHUME NGA Kosovë