Fiket zjarri në banesën në Prishtinë, një zjarrfikës lëndohet në dorë/Video
RTK
(E plotësuar) Është shuar zjarri në ndërtesën shumëkatëshe në lagjen “Pejton” në Prishtinë. Gjatë intervenimit, një zjarrfikës është lënduar lehtë në dorë. Ndërkohë edne edne nuk dihen shkaqet e zjarrit.
Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Mal Gashi, ka theksuar se reagimi i tyre ka qenë i shpejtë dhe se fatmirësisht ndërtesa nuk ka qenë e banueshme.
“Është parë që zjarri nuk është lokal. Intervenimi ka qenë i shpejt. Puna edhe vullneti që e kanë treguar sot kanë arrit që të shuhet ky zjarr. E pash nuk është lëndim ai është gërvishtje në dorë nuk është për t’u shqetësuar. Nuk ka ndonjë të dhënë edhe sa i përket dëmeve materiale, janë të tjerët që bëjnë vlerësimin. Po të ishte e banueshme do të ishte më vështirë për të parandaluar”, ka theksuar Gashi.
Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, tha se nuk ka pasur lëndime në njerëz përpos njërit nga pjesëtarët e Brigadës së Zjarrfikësve.
“Do të fillojnë hetimet për këtë rast, të gjitha ekipet janë mobilizuar është duke u bërë verifikimi i çdo kati që të parandalohet. Jo nuk ka dëme njerëzore, është lëndim i një zjarrfikësi”, ka deklaruar Fushtica.
Zjarr në një ndërtesë në Prishtinë
Është kapluar nga zjarri një ndërtesë në ndërtim në lagjen “Pejton” në Prishtinë.
Zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke intervenuar në shuarjen e zjarrit. Raportohet se për shkaka të zjarrit, kanë filluar pllakat e ndërtesës së thyhen dhe të bien nga lartë.
Gazetarja e RTK-së, Ganimete Baliu, ka xhiruar pllakat që po bien nga ndërtesa, gjë që po paraqet rrezik për zjarrfikësit.
Ende nuk dihet për ndonjë person të lënduar dhe për shkakun që ka ardhur deri te zjarri.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, i ka thënë RTK-së se rasti ka ndodhur rreth orës 09:45 në rrugën “Ukshin Hoti”, e në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet e zjarrfikësve.
“Sot rreth orës 09:45, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në rrugën ‘Ukshin Hoti’ në Prishtinë, ku nga zjarri është përfshirë një objekt. Në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit dhe policia të cilët po merren me rastin. Nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar”, thuhet në njoftimin policor.
Ndërsa, mbrëmë Shtëpi e të moshuarve në Prishtinë është kapluar nga zjarri. Polica ka bërë tyë ditur se disa persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore shkak i vështirësimit në frymëmarrje si pasojë e tymit, por të lënduar nuk ka.
Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, ka vizituar Shtëpinë e të moshuarve që u kapluar nga zjarri. Ai ka thënë se personave që kanë qenë aty do u sigurohet strehim.























