Familjarët e të ndjerit Qerim Kelmendi, kërkojnë drejtësi
A.B/RTKlive
Familjarët e “Heroit të Kosovës”, të ndjerit Qerim Kelmendi, kanë kërkuar nga institucionet ligjzbatuese që të veprojnë me përgjegjësi dhe të sjellin drejtësi.
“Me anë të kësaj letre, ne, Familja Kelmendi, ju njoftojmë se do të organizojmë Homazhet në përkujtim të katër vjetorit të vrasjes së Heroit të Kosovës, Qerim Kelmendi. Ky akt përkujtimor do të zhvillohet në Kompleksin e Dëshmorëve në Gllogjan të Deçanit, pranë varrit të të ndjerit, më datën 27 shkurt (e martë), në orën 11:30”, thuhet në njoftim.
Sipas familjes Kelmendi, këtë e shohin si një moment të rëndësishëm për të nderuar jetën dhe sakrificën e Qerim Kelmendit.
“Në të njëjtën frymë, ne dëshirojmë të ngremë një çështje të rëndësishme për të cilën kërkojmë ndihmën tuaj. Ju bëjmë apel që të ushtroni ndikimin tuaj dhe të luani rolin tuaj vendimtar në nxitjen e Prokurorisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese për të vepruar me përgjegjësi dhe të sjellin drejtësi për vrasjen e vëllait tonë. Është jetike që media të mbajë gjallë interesin për çështje kaq të rëndësishme, duke kontribuar në zbardhjen e plotë të rrethanave dhe në arritjen e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre”, thuhet në një letër të familjes Kelmendi drejtuar mediave.
Sipas kësaj familje, kjo betejë nuk është vetëm për drejtësinë e Qerim Kelmendit, por edhe për të mbrojtur vlerat e drejtësisë dhe pavarësisë në shoqërinë tonë.























