Lladrovci: Drenasi ofron kushte të jashtëzakonshme për sportin
V.Th. RTKlive
Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pritur sot në takim, drejtuesit e kompanisë Realsport nga Zvicra, të specializuar për fushat sportive, stadiumet dhe teknologjinë e lidhur me sportin.
Në këtë takim Lladrovci ka thënë se Drenasi ka nevojë për stadiume sintetike për sporte të ndryshme edhe në shkolla, lagje dhe stadiume për gara në nivel kombëtar e ndërkombëtar, andaj, bashkëpunimi me kompaninë Realsport, është shumë i mirëseardhur.
“Ekspertiza zvicerane, përvoja e kësaj kompanie, teknologjia dhe përvoja e shkëlqyer, janë mundësi e mirë për bashkëpunimin, kur dihen investimet dhe perspektiva e sportit në komunën tonë dhe planifikimet për lojërat mesdhetare që do të mbahen më 2030. Mysafirët i falënderova për gatishmërinë e bashkëpunimit dhe shfaqa interesimin për projekte të interesit të përbashkët. Ne kemi nevojë të finalizohen dy stadiumet, me fusha të mira sportive, me teknologji dhe standarde të BE-së si parakushte për arritje në sport të sportistëve dhe të rinjve tanë”, ka shkruar Lladrovci në rrjetin social Facebook..
Sipas tij mysafirët shfaqen interesim për të vizituar Stadiumin “Rexhep Rexhepi”, Palestrën “Hysni Jetullahu”, zonën për stadiumin sintetik, pishinën gjysmë olimpike dhe terrenet tjera ndihmëse në Komoran, po ashtu, u ka treguar planet e kësaj zone të shpronësuar 9 hektarë dhe projektin e Stadiumit Nacional në hapësirën 25 hektarë, prona të cilat ia kanë ofruar nivelit qendror.























