Fushë Kosovës i teprojnë mbi 6 milionë euro|Video
BKT
Kosovë

Fushë Kosovës i teprojnë mbi 6 milionë euro|Video

Arbresha Berisha /RTK

Perceptimi i qytetarëve jo shumë i mirë për komunat, mund të reflektohet edhe me raste konkrete. Ajo e Fushë Kosovës është një prej tyre. Banorët e saj po përballen me probleme të ndryshme, pasi komuna nuk ka arritur t`i shpenzoj mjetet e planifikuara.

Kështu, për të dytin vit, Fushë Kosovës i teprojnë nga 6 milionë euro. Kuvendi i Komunës nesër pritet t'i bartë këto mjete nga viti i kaluar që t'i shpenzojë këtë vit. Opozita kritikon komunën për paaftësi, e komunarët nuk japin përgjigje.

Nuk kanë zgjidhje tjetër, pos që të kalojnë mbi këto gropa në rrugën “Hajrulla Zymi” në Fushë Kosovë.

“Normal që kerri është për rrugë më të mira, është e tmerrshme, nuk i intereson askujt, asgjë. Ndoshta po të çoheshim për ta bllokuar këtë rrugë me vetura, ndoshta edhe do të kishin marrë masa”, tha Valon Zymeri, qytetar.

Mbi këto gropa të armuara me material për suvatim duhet të kalojnë edhe kalimtarët, pasi trotuaret janë të bllokuara me vetura.

“Kah shkova me i marrë treneqtë në shkollë. Mami ruaju andej, ruaju këndej. Po më duhet me dalë në rrugë për me na shkel vetura për të kaluar diqysh. Këtu po ndalet vetura, aty gropa”, tha Sara Hoti, qytetare.

Por, në kohën kur problemet e banorëve të Fushë Kosovës s’po gjejnë zgjidhje, komunës po i teprojnë miliona euro. Në vendimin që ka siguruar RTK-ja, Drejtoria për Buxhet dhe Financa i ka dërguar Komitetit për Politikë dhe Financa, thuhet se janë 6.3 milionë euro, të cilat barten nga viti 2023 në vitin 2024.

RTK u ka dërguar pyetje nënkryetarit Besnik Osmani dhe drejtorit komunal për Buxhet dhe Financa, Ramadan Jashanica, për të kuptuar arsyet e mos shpenzimit të këtyre mjeteve, por ata nuk pranuan të prononcohen. Bartja e mjeteve pritet të miratohet të enjten në mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Fushë-Kosovës.


MË SHUME NGA Kosovë