Osmani dhe Lajçak diskutuan për zhvillimet e fundit dhe procesin e dialogut
A.Bela/RTKlive
Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar për takimin që ka pasur mbrëmë me Emisarin e BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në kuadër të Forumit Diplomatik të Antalisë.
Osmani ka thënë se me Lajçak ka folur për zhvillimet e fundit dhe dialogun.“Gjatë ADF2024, u takova me të Dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Diskutuam për zhvillimet e fundit dhe procesin e dialogut”, ka shkruar presidentja Osmani në platformën “X”.
Ndryshe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dje në Forumin Diplomatik të Antalisë tha se Kosova ka shumë plagë të hapura nga lufta.
“Kemi tejkaluar pushtimin shekullor, kemi qenë viktima të gjenocidit për shumë vite, viktima të krimeve të luftës, kemi numrin më të madh të fëmijëve të vrarë në luftërat e Ballkanit, kemi qindra gra të përdhunuara. Përkundër kësaj dhimbjeje, kemi zgjedhur rrugën e dialogut, rrugën paqësore”, tha ajo, raporton RTKlive.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar lart ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë në avancimin e diplomacisë në vend.























