Deliu-Kodra: Kosova është peng i një qeverisje që po dëmton buxhetin
V.Thaçi / RTKlive
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, sot, në një konferencë për media, ka adresuar kritika ndaj qeverisë.
Deputetja Deliu-Kodra ka thënë se rasti i fundit i arrestimit të Kryeshefit ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) në Gjakovë, njeriu i Lëvizjes Vetëvendosje, Hasan Krasniqi, është vetëm njëri nga vargu i gjatë i zyrtarëve të partisë në pushtet që është përfshirë në keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Fillimisht, zgjedhja e tij si Kryeshef ka qenë në kundërshtim me ligjin për Ndërmarrjet Publike, pasi që i njëjti parasheh që zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike të jenë të pavarur, pra të mos kenë angazhime politike në 36 muajt e fundit. Ndërsa, tani, ai është edhe i dyshuar për vepra të tjera penale”, ka thënë Deliu-Kodra.
Më pas, deputetja Deliu-Kodra ka përmendur disa nga zyrtarët e Vetëvendosjes të cilët kanë zënë ballinat mediale me skandale dhe afera.
Në fund të kësaj liste, deputetja Deliu-Kodra ka përmendur edhe ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili, sipas saj, është kupola e gjithë këtyre keqpërdorimeve.
“Ambasadori Berishaj, si e dini, është përfshirë në një skandal të madh rajonal financiar, në tregtimin e energjisë elektrike, i cili dyshohet se peshon miliona euro, ndërsa vet ambasadori Berisha dyshohet se ka përfituar 600 mijë euro nga filiali i kompanisë GEN-I, me seli në Beograd”, ka thënë ajo.
Deputetja e PDK-së ka thënë se këto janë vetëm disa nga rastet, të cilat edhe sipas raportimeve të mediave, dëshmojnë për një qeverisje tri vjeçare të Lëvizjes Vetëvendosje, përplot me afera dhe skandale korruptive, të cilat kanë dëmtuar tejet shumë buxhetin e shtetit të Kosovës dhe mirëqenien e qytetarëve tanë.
“Në dritën e këtyre zhvillimeve dhe kësaj qeverisje, e cila ka qenë tejet dëshpëruese, e paaftë dhe, në esencë korruptive, natyrisht edhe raportet ndërkombëtare për vendin tonë nuk kanë se si të jenë as të mira dhe as pozitive. Raporti i fundit i 29 shkurtit nga Freedom House, ka vlerësuar se Kosova është vend “pjesërisht i lirë”. Sipas këtij raporti kredibil amerikan, me bazë në Washington, institucionet e Kosovës mbesin të dobëta dhe korrupsioni i shfrenuar ka shkaktuar mosbesim të thellë publik ndaj qeverisë”, ka thënë Deliu-Kodra.
Ajo ka thënë se sikur qeverisja e dobët dhe dëmshme të mos mjaftonte, Kryeministri dhe Qeveria jonë po përkujdesen që edhe raportet e ndërtuara me mund me aleatët tanë të prishen.
“Tashmë janë bërë 8 muaj që Kosova edhe zyrtarisht është nën sanksione nga Bashkimi Evropian – ku po mbeten të bllokuara qindra-miliona euro investime për shtetin tonë”, ka thënë Deliu-Kodra.
Sipas saj, sot, Kosova është peng i një qeverisje korruptive, të paaftë, që po dëmton buxhetin e shtetit të Kosovës, mirëqenien e qytetarëve tanë, të ardhmen evropiane të shtetit tonë dhe aleancat tona historike.
Për këto arsye, Deliu-Kodra ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës, tashmë ka kohë që kërkon shpërbërjen e Kuvendit dhe zgjedhje të reja të parakohshme sa më parë.
Në fund të konferencës, deputetja Blerta Deliu-Kodra i ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të trajtojnë me seriozitetin më të madh të gjitha aferat në të cilat është përfshirë kjo Qeveri dhe zyrtarët e saj.























