Iniciativa e RTK-së dhe njerëzit humanë e bëjnë me shtëpi familjen Gllareva
Albana Bajrami/ RTK-Radio
Familjes Gllareva nga fshati Vërboc i komunës së Drenasit, ka filluar t’i ndërtohet shtëpia, pasi në dhjetor të vitit të kaluar i ishte djegur tërësisht dhe kishte mbetur pa strehë. Iniciativën për mbledhjen e fondeve për ndërtimin e shtëpisë e kishte marrë gazetari i Radio Kosovës, Agim Kita përmes emisionit “Fol Shlirë”, e gjithashtu edhe gazetarja e RTK-së, Arlinda Sejda.
Familja tetë anëtarëshe, nga fshati Verboc i Drenasit, kishte mbetur pa kulm mbi kokë, pasi në dhjetor të vitit të kaluar u ishte djegur tërësisht nga një kontakt i energjisë elektrike. Derisa Komuna e Drenasit kishte filluar të bënte vlerësimin e dëmit për shtëpinë e djegur, gazetari i Radio Kosovës, Agim Kita, përmes emisionit të tij “Fol Shlirë”, filloi një nismë për të mbledhur fonde në ndihmë të familjes Gllareva. Edhe gazetarja e RTK-së, Arlinda Sejda, përmes raportimeve të saj për këtë ngjarje, kishte bërë që shumë qytetarë t’i përgjigjen thirrjeve për të ndihmuar në ndërtimin e shtëpisë të kësaj familje.
Si rezultat i kësaj nisme, tashmë shtëpia ka filluar të ndërtohet. Këtë e ka konfirmuar për Radio Kosovën, kryefamiljari, Mustafë Gllareva, i cili falënderoi të gjithë ata që e kanë ndihmuar.
“Shtëpia është nisur qe një javë, është bërë pllaka e parë në themel, dhe muret kanë filluar të ndërtohen dje. Një kat vetëm është përfunduar dhe po bëhet gati për pllakën e katit të parë. Iniciatorë ishte gazetari, Agim Kita, të cilin e falënderoj shumë, si dhe gazetaren Arlinda Sejda, të cilët ma kanë shpërndarë numrin çdo kund”, tha ai.
Gllareva tregoi se pas këtyre nismave, shumë qytetarë i kanë ofruar ndihmë, e po ashtu edhe Komuna e Drenasit kishte ndarë një fond, për fillimin e ndërtimit të shtëpisë së re.
“Komuna me ka dhënë 2 mijë e 745 euro, sipas vlerësimit të dëmit, edhe një kushëri me shoqëri të vet ka mbledhur para, por sa nuk e di, vetëm se më ka thënë që kemi me nisë shtëpinë me ndërtua. I ka gjetur mjeshtrit dhe materialin në një depo në Drenas dhe kemi filluar ndërtimin. Më kanë ndihmuar njerëzit me aq sa kanë pasur mundësi”, tha ai.
Ndërkohë, autori i emisionit Agim Kita, ndihet i emocionuar nga lajmi që ka filluar ndërtimi i shtëpisë së familjes Gllareva, ndërsa tregon se si ka filluar këtë iniciativë.
“Më 11 dhjetor 2023, unë e pashë në Lajmet Qendrore të RTK-së, ku gazetarja, Arlinda Sejda kishte bërë kronikën për familjen Gralleva dhe u preka shumë. E kontaktova kolegen dhe më dha të gjitha informacionet, ndërsa atë ditë në emisionin tim e mora iniciativën që me dëgjuesit e mi, që quhen Brigada 2022, pasi në vitin 2022 ka filluar emisioni “Fol Shlirë” në Radio, dhe filluam nismën për mbledhjen e fondeve. Brenda 40 minutave mblodhëm një shumë tepër të madhe. Më pas u bë një kohë e gjatë dhe mendova që nuk është realizuar asgjë. Por, dje ditën e premte një dëgjues në emision, bashkëfshatar i familjes Gllareva, më telefonoi dhe me dha lajmin e mirë, që shtëpia e Mustafës ka filluar të ndërtohet. Ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme, realisht këtë ndjenjë nuk e kam përjetuar, një befasi kaq të mirë. Kjo është më e pakta që unë kam bërë. Punën më të madhe e kanë bërë dëgjuesit e emisionit “Fol Shlirë”.
Kryefamiljari Gllareva, punon në ndërtimtari. Ai ka pesë fëmijë, bashkëshorten dhe nënën e tij, derisa ishin detyruar të qëndronin tek të afërmit, në ditët e ftohta të dimrit. Shtëpia e tij u dogj tërësisht vitin e kaluar si pasojë e një problemi me energjinë elektrike.























