LVV thërret mbledhje të jashtëzakonshme të Asamblesë Komunale në Prishtinë
K.Kasumi/RTKlive
Këshilltarët komunalë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV-së) në Prishtinë kanë thirrur mbledhje të jashtëzakonshme për emërimin e kryesuesit të Kuvendit. Mbledhja është thirrur për të enjten në orën 11:00.
Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se tashmë kanë kaluar dy javë nga shkarkimi i kryesuesit të Kuvendit Komunal dhe ende nuk ka rezultat konkret për emërimin e kryesuesit të ri nga partia që ka pushtetin në Prishtinë, LDK-ja dhe kryetari Përparim Rama.
LV-ja përmes një njoftimi ka bërë me dije se kuvendi komunal vazhdon të mbetet jofunksional dhe po bëhen tre muaj që nuk ka mbajtur asnjë mbledhje të rregullt.
“Shumë çështje esenciale për qytetin, rregullore e projekte, pika diskutimi e vendime, kërkesa e ankesa, kanë mbetur pezull dhe të patrajtuara nga ata që janë të zgjedhur dhe kompetentë për këtë punë, këshilltarët komunalë”, thuhet në njoftimin e LVV-së për medie.
Ndër të tjera, në njoftim thuhet se bllokada totale u konvenon vetëm pushtetarëve komunalë. “S’ka se si të jetë ndryshe kur kemi parasysh faktin se janë ata që nuk thërrisnin mbledhje në kohën kur kuvendi kishte kryesues dhe gjithashtu tash e dy javë nuk morën veprime për funksionalizimin e kuvendit, për të propozuar kryesues të ri. Në një situatë të tillë, duke qenë grupi më i madh në kuvendin komunal, dhe duke e ditur përgjegjësinë e përfaqësimit të qytetarëve të Prishtinës, si dhe nevojën për lëvizjen e proceseve përpara, grupi ynë i këshilltarëve komunalë ka deponuar nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, me pikën e vetme të rendit të ditës: Zgjedhjen e Kryesuesit të Kuvendit", thuhet tutje në njoftim.
Dega e LVV-së në Prishtinë ka theksuar se përkundër faktit që janë partia e parë në kryeqytet, ata me qëllim të zhbllokimit të gjendjes së krijuar dhe të kthimit të normalitetit e funksionalitetit në kuvend, nuk do të propozojmë ndonjë asamblist nga grupi i tyre për kryesues të Kuvendit Komunal.
Gjithashtu, kjo degë u ka bërë thirrje të gjithë këshilltarëve komunalë, nga të gjitha subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend, të vijnë në mbledhjen e thirrur dhe bashkërisht të japin kontributin që Kuvendi Komunal i Prishtinës, “nga një kuvend i mbledhjeve solemne dhe të jashtëzakonshme, të kthehet në kuvend të rregullt e produktiv, ashtu siç do duhej të jetë dhe ashtu siç e kërkojnë qytetarët".























