Kurti: Gjakova ka dhënë shumë në çdo luftë
K.Kasumi / RTKlive
(E plotësuar) Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe te varrezat e martirëve e dëshmorëve të kombit në Çabrat të Gjakovës, në kujtim dhe në nderim të sakrificës dhe të gjakut të derdhur për liri të martirëve dhe dëshmorëve.
I shoqëruar edhe nga anëtarë të kabinetit qeveritar dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti takoi familjarët e dëshmorëve dhe martirëve në Gjakovë.
Sipas njoftimit të kryeministrisë, ai tha se Gjakova ka dhënë shumë në çdo luftë, posaçërisht në luftën e fundit. “Në Gjakovë i kemi 361 dëshmorë dhe 1 022 martirë. Vetëm në ditët ndërmjet 7 dhe 11 majit të vitit 1999, i kemi 26 dëshmorë dhe mbi 100 martirë.
Vrasjet e fëmijëve, të pleqve, të grave, të burrave, të rejave e të rinjve, këto varreza ku sheh njeriu pa numër mbiemra të njëjtë të familjeve, tregojnë që Serbia ka ushtruar gjenocid në Kosovë dhe ka pasur për qëllim shfarosjen e shqiptarëve. Por ajo ka dështuar në këtë projekt mizor e antinjerëzor të saj, dhe sot 25 vjet më vonë ne jemi më të fortë e më të fuqishëm se kurrë më parë”, tha theksuar Kurti.
Ai shprehu mirënjohje të pafund ndaj familjeve që po qëndrojnë kaq të forta dhe po e mbajnë lart krenarinë e popullit tonë, i cili ka humbur e ka vuajtur shumë, mirëpo ka dalë fitimtar dhe nuk ka kush që e ndal në progres demokratik, socio-ekonomik dhe evropian.
"Ushtria Çlirimtare e Kosovës, invalidët dhe veteranët e luftës, familjet e dëshmorëve, janë vlera të pamohueshme të shtetit e të kombit tonë mbi të cilat ne vazhdojmë të ndërtojmë të ardhmen tonë të ndritshme për brezat që do të vijnë. E ku ka shembull më të mirë për këtë sesa nipi i Lule Sharanit, Dijari, i cili kur u takuam këtu tha që dëshiron të angazhohet në Forcën e Sigurisë së Kosovës, në ushtrinë e Republikës sonë," ka theksuar më tutje ai.

Kurti, homazhe në varrezat e të rënëve Çabrat
Kryeministri Kosovës, Albin Kurti, po bën homazhe në varrezat e të rënëve në Çabrat të Gjakovës.
Islam Haxhiu / RTK
























