Zvarriten punimet, në Kamenicë bulevardi nuk u ndërtua që pesë vjet
BKT
Kosovë

Zvarriten punimet, në Kamenicë bulevardi nuk u ndërtua që pesë vjet

Ahmet Maholli/RTK

Për më shumë se pesë vjet, qytetarët e Kamenicës nuk mund të lëvizin lirshëm në bulevardin kryesor të qytetit për shkak të zvarritjes së punimeve. Pavarësisht përpjekjeve, punimet ende nuk përfunduan.

Banorët e Kamenicës, vazhdojnë ta shohin bulevardin me pamje të njëjtë tash e 5 vjet. U ndërruan qeverisjet, u ndërruan edhe punëkryesit, megjithëkëtë ndërtimi i bulevardit, i filluar që në vitin 2019 mbeti i papërfunduar.

Zvarritjet e punimeve ndonëse arsyetohen nga pushtetmbajtësit, vazhdojnë të mbesin shqetësim për ata që jetojnë në këtë qytet.

“Fatkeqësisht problemet janë të njëjtat…ritenderime, dy a tri herë dhe vazhdojnë ngecjet, nuk ka përmirësim në këtë aspekt. Sa më shumë që zgjat aq më i madh është mllefi i qytetarëve, nuk është në rregull një investim aq i madh të ketë këso ngecje”, ka theksuar qytetri, Blerim Shabani/

Edhe qytetari tjetër, Muhamet Arifi thekson se puna është stërzgjatur.

Është pak i stërzgjatur…Mendoj që sa më shpejt të kryhet kjo punë e këtij bulevardi dhe qytetarët të jenë të lirë dhe të mos zhvillohen punët në sezon, pastaj kemi pengesa gjatë ecjes në bulevard qoftë të të rriturve qoftë të fëmijëve. Sa më pak burokraci dhe projektet të ecin në suaza të parapara të periudhës kohore dhe të mos ketë zvarritje”, theskoi ai për RTK. 

E Milaim Morina, thotë se ‘është shqetësuese shumë, ama shihet se edhe është punuar diçka si gjelbërim dhe ndonjë gjë, por gradualisht do të bëhet më mirë”.

Arsyeja për mos përfundimit të projektit të bulevardit, sipas zyrtarëve komunal, është zvarritja e punimeve nga punëkryesit joseriozë që nuk po arrijnë t’i sigurojnë materialin që kërkohet sipas kontratës, për të shtruar sheshin.

“Pra problematikë kryesore është tulla klinker që nuk po arrijnë ta gjejnë. Ky nuk është faji i komunës për arsye se tenderi ka qenë i hapur, dhe secili operator që ka shfaqur dëshirën ka qenë dashur të mendojë edhe për sigurimin e tullës. Ne operatorit të dytë që jemi në procedurë të shkëputjes së kontratës, ia kemi ofruar edhe atë mundësi, pra projektuesi ia ka mundësuar për ta zëvendësuar pllakën klinker me tjetër, por siç duket operatori nuk është serioz në këtë drejtim dhe ne po presim që shumë shpejt ta shkëpusim kontratën dhe të fillojmë procedurën tjetër sepse nuk është serioz për kryerjen e punimeve të bulevardit”, tha për RTK, Vaxhid Rexhepaj, shef i kabinetit të kryetarit të komunës Kadri Rahimi.

Derisa ende nuk dihet se kur do të përfundojë ky projekt, për të cilin vlera është afro 980 mijë euro, Rexhepaj ka deklaruar se kanë bërë kërkesë për rritjen e buxhetin për shkak se është projekt i cili financohet nga niveli qendror dhe të fillohet me procedurat për të kontraktuar një operator tjetër për ndërtim të bulevardit.


MË SHUME NGA Kosovë