Mbi 50 familje në kryeqytet tashmë janë pajisur me pako ushqimore
BKT
Foto: Adea Mustafaj
Kosovë

Mbi 50 familje në kryeqytet tashmë janë pajisur me pako ushqimore

Adea Mustafaj /RTKlive

Mbi 50 familje nevojtare në Kosovë, tash e dy javë, kanë mundësinë të tërheqin çdo fillim muaji, nga data 1 deri me 6, nga një pako me produkte esenciale ushqimore.

Naser Osmani, banor i kryeqytetit, është një nga të përzgjedhurit nga Komuna e Prishtinës për të qenë përfitues i pakos ushqimore nga dyqani social.

Dyqani social përmban produktet esenciale, që nga ato ushqimore dhe deri tek ato higjienike, ku rastet sociale të kryeqytetit mund të pajisjen me një pako ushqimore me produkte esenciale të cilat u nevojiten.

Ai shprehet i kënaqur me këtë iniciativë të ndërmarrë nga Komuna e Prishtinës, në bashkëpunim me Shoqatën Humanitare Bamirëse “Bereqeti”.

“Kam marrë ndihma edhe më përpara nga Shoqata “Bereqeti”, por shumë më mirë që është bërë përmes dyqanit, që kemi mundësi të përzgjedhim produktet vetë, pasi, çfarë na nevojitet, i marrim vetë”, u shpreh Osmani.

Adelina Sahiti, drejtoreshë e Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, tregoi se ideja për hapjen e këtij dyqani erdhi si një nevojë, duke marrë parasysh çmimet e papërballueshme kundrejt të hyrave të familjeve në skemën e ndihmës sociale.

“Dyqani social përpiqet të luftojë varfërinë e skajshme dhe t’u sigurojë familjeve në nevojë ekzistencën e tyre, duke u ofruar produkte të ndryshme esenciale ushqimore, higjienike dhe të amvisërisë në përgjithësi”, thotë Sahiti.

Sa i përket përzgjedhjes së familjeve përfituese, Sahiti sqaron se Qendra për Punë Sociale administron të gjitha të dhënat e familjeve që janë pjesë e skemës së ndihmës sociale dhe ata, më pas, bëjnë përzgjedhjen e familjeve përfituese, me përparësi familjet, anëtarët e të cilave janë të paaftë për punë, pastaj personat me aftësi të kufizuar, familjet me numër të madh të anëtarëve, prindërit vetushqyes, si dhe ata që jetojnë në vise të thella rurale.

Kryetari i Shoqatës Humanitare Bamirëse “Bereqeti”, Behxhet Ajvazi, u shpreh i kënaqur me ecurinë e punës që nga hapja e këtij dyqani social.

“Punët kanë shkuar shumë mirë, ashtu siç e kemi planifikuar. Familjet, të cilat janë të përzgjedhura deri më tani, veçse e kanë tërhequr pakon e tyre ushqimore me artikuj esencialë, por ka edhe familje shtesë, përveç atyre që i kemi ditur deri më tani, që presim t’u ndihmojmë”, u shpreh Ajvazi.

Ajvazi tha se dyqani do të jetë një lehtësim për bizneset, që dëshirojnë t’u ndihmojnë familjeve në nevojë, por njëkohësisht edhe për familjet nevojtare që ta kenë më të lehtë se ku mund të adresohen.

“Dyqanin e kemi hapur pikërisht për këtë arsye, që bizneset të vijnë dhe të kenë shumë më lehtë  ku të adresohen për të ndihmuar. Po ashtu, për familjet në nevojë që të kenë më të lehtë të vijnë për të marrë pakon ushqimore për 1 muaj”, tha ai.

Ndër të tjera, Ajvazi u bëri thirrje të gjithë personave që njohin lëminë e teknologjisë që t’i bashkohen ekipit të tyre rreth projektit që pritet të realizohet në të ardhmen.

“Shpresojmë që në të ardhmen qytetarët të vijnë dhe të shërbehen vetë, të zgjedhin artikujt vetë, ku çdo artikull të bëhet me barkod dhe pastaj të bëhet arka ku do të vijnë dhe të shkarkohen përfituesit e pakos ushqimore. Do të caktohet edhe shuma se sa do të ketë mundësi të marrë ajo familje. Andaj i thërrasim njerëzit që e njohin këtë lëmi, që të na bashkohen”, shtoi Ajvazi.

Pos hapjes së këtij dyqani, Ajvazi tregoi edhe për projektet e tjera të kësaj shoqate, siç janë dy kuzhina humanitare në Pejë dhe Mitrovicë, ku pesë ditë të javës jepen mbi 300 shujta të ngrohta ditore. Ai gjithashtu tregoi se mbi 7 shtëpi janë në përfundim e sipër.

 


MË SHUME NGA Kosovë