Gjilan, dështon seanca e Kuvendit, pasi opozita dëshiron transmetim medial
M.Sh/RTKLive
Ka dështuar të mbahet sërish seanca e radhës e Kuvendit Komunal të Gjilanit, pasi opozita (LDK-AAK) ka lëshuar sallën nën arsyetimin se Komuna e Gjilanit nuk ka siguruar transmetim medial, siç ka qenë në të kaluarën.
Avdyl Aliu, shef i grupit të këshilltarëve të LDK-së dhe Nazim Gagica, shef i AAK-së, kanë kritikuar Komunën për mungesë transparence e bashkëpunimi. “Pa transmetim medial nuk mund të vazhdohen punimet”, janë shprehur ata.
Opozitës, sipas koalicionit qeverisës, nuk është e kënaqur me transmetimi në kanalin zyrtar youtube dhe në faqen zyrtare të Komunës së Gjilanit në facebook, por dëshiron transmetim medial.
Asambleisti i VV-së, Ismajl Kurteshi, ka kërkuar zyrtarisht interpretim nga MAPL lidhur me situatën e krijuar dhe se për këtë ka marrë përgjigje.
“Komunat janë të obliguara që të sigurojnë qasje aktive të teleprecencës ose të përdorin edhe platforma të tjera në mënyrë që të sigurohet transparencë për qytetarët dhe monitorim nga Ministria, ashtu siç është përcaktuar me udhëzimin administrativ për administratë të hapur. Por, mungesa e teleprezencës nuk përbën shkak për mos-mbajtje të mbledhjeve”, tha ai.
Kurtishi tha se mosprezenca e kamerave televizive nuk përbën shkak për të mos u mbajtur seancat e Kuvendit Komunal, duke shtuar se tashmë kanë pushuar arsyet e LDK-së dhe PDK-së për të cilat ata kanë menduar se kanë të drejtë që të mos mbahen seancat.
Kryesuesi i Kuvendit, Kushtrim Kadriu, ka thënë se për mbajtjen e mbledhjeve të radhës do të ketë njoftim me kohë.
Ndryshe, sot ishin paraparë të mbahen dy seanca, vazhdimi i seancës se katërt, e cila është ndërprerë një muaj më parë dhe seanca e pestë.
Në rend dite, sipas njoftimit kanë qenë disa pika, përfshirë edhe “Raporti financiar për periudhën Janar-Mars 2024; Emërimi i Komisionit për përcaktimin e Listës së lokacioneve dhe hapësirave publike për vendosjen e përmendoreve, shtatoreve, busteve dhe simboleve, brenda territorit të Komunës së Gjilanit; Informatë rreth Manifestimit tradicional “Flaka e Janarit” 2024, etj.























